TIRANE- Presidenti i Republikës Bamir Topi organizoi një pritje të vecantë në Pallatin e Brigadave me rastin e 97 vjetorit të Pavarësisë. Gjatë fjalës së tij në hapjen e ceremonisë, Presidenti theksoi se data e sotme është data e ringjalljes së kombit shqiptar. “Jam shumë i gëzuar dhe i nderuar që takohemi sërish për të kujtuar ditën tonë të Pavaresisë, festën tonë kombëtare. Në historinë e njerëzimit por sidomos në historinë e një kombi ka data që tregohen dhe për to flitet në mënyra të ndryshme, por për kombin shqiptar 28 Nentori është një ditë e vecantë dhe na mbledh të gjithëve për të festuar sipas një mënyre të vetme” theksoi Topi.
“Sfidat e Shqipërisë janë ende shumë të mëdha” tha Presidenti Topi ndërsa nënvizoi se sot më shumë se kurrë përpos urimeve të rastit ajo që vlen më tepër është që qeveria bashkë me opozitën të punojnë bashkë në të mirë të Shqipërisë.
“Ështe e natyrshme që Shqipëria sot nuk është ajo e vitit 1912 as ajo e vitit 1990 por sfidat e saj janë ende shumë të mëdha. Përpos urimeve të rastit, do të dëshiroja me gjithë zemër që të kishim një Kuvend ku sa qeveria aq dhe opozita ti përvisheshin punes” theksoi Presidenti Topi .
Në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave ishin të pranishëm kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik, gazetarë etj.
(e.n/BalkanWeb)
