Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paralajmëruar për masa më rigoroze dhe ndëshkime të prindërve, të cilët nuk i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat e mesme.
Ky paralajmërim u bë drejtpërdrejt nga ministri i Arsimit, Nikolla Todorov, i cili sqaroi në detaje edhe konkursin e shpallur për regjistrim në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2010/2011. “Unë dua që t`i bëj thirrje edhe gjykatave që më rigorozisht të veprojnë ndaj padive penale të ngritura kundër prindërve nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Arsimit. Gjykatat të mos shqiptojnë dënime që janë më të vogla se ato të përcaktuara sipas ligjit”, ka theksuar Todorov. Ai ka shtuar se gjatë këtij viti shkollor do të shtohen kontrollet dhe masat për arritur shkallën më të lartë të regjistrimeve në shkollat e mesme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, gjatë vitit të kaluar vetëm gjashtë për qind të nxënësve që kanë përfunduar arsimin fillor nuk janë të regjistruar në shkollat e mesme. “Shpresoj që të kemi politikë të suksesshme të regjistrimeve dhe qëllimi është që 100 për qind e nxënësve që përfundojnë arsimin fillor të regjistrohen. Për të gjithë ata që nuk do t`i regjistrojnë fëmijët do të ketë procedurë ligjore, ndërsa dënimi ngelet prej 1.000 eurove”, ka theksuar ministri i Arsimit, Nikolla Todorov. Për vitin e ri shkollor 2010/2011 janë paraparë 35.918 vende të lira për regjistrim në shkollat e mesme të vendit.(INA)
