Greqia shpreh mbështetjen e plotë për heqjen sa më shpejt të regjimit të vizave me Bashkimin Europian për qytetarët shqiptarë. Këtë e konfirmoi të premten ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë Mihalis Krisohoidhis, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë, me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. “Shqipëria ka bërë hapa vendimtarë në procesin e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave dhe shpresoj që shumë shpejt Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së Bashkimit Europian të marrë një vendim pozitiv. Ne e mbështesim plotësisht kërkesën e Shqipërisë për heqjen e regjimit të vizave duke respektuar kushtet ligjore të BE përmes kontrolleve të rrepta në mënyrë që duke hapur kufijtë të kufizojmë veprimtarinë e të gjitha rrjeteve kriminale që përdorin këto pengesa për të shfrytëzuar njerëzit fatkeq”, u shpreh ministri Krisohoidhis. “Ky proces që garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve, respekton dinjitetin e qytetarëve tanë por edhe përmirëson ndjeshëm parametrat e lëvizjes së lirë duke reduktuar hapësirat për aktivitet kriminal ndërkufitar”, tha Basha. Krisohoidhis premtoi se do të lobojë edhe me homologët e tjerë të vendeve të BE, për të marrë sa më shpejt vendimin për liberalizimin e vizave për Shqipërinë
