Geri Lineker është në këmbë, në rrethin e mesit të fushës së “Delle Alpit” të Torinos. Anglia e tij po luan kundër Gjermanisë Perëndimore mundësinë për të shkuar në finalen e Kupës së Botës, “Italia 1990″. Koha shtesë nuk kishte “thyer” rezultatin 1?1, që kishte dhuruar koha e rregullt: në këtë pikë janë 11?metërshat, që do të vendosin gjithçka. Linekerit s’i ngel gjë tjetër, veçse të vështrojë. Ai penalltinë e tij e shënoi. Ishte goditësi i parë për Anglinë dhe nuk gaboi. I tij ishte edhe goli i barazimit në minutën e 81-të, kur shfrytëzoi një pasiguri të mbrojtjes gjermane për të mposhtur portierin Bodo Ilgner me një diagonale të saktë me të majtën. Atëherë kur gjithçka dukej e humbur…
Ishte një ndeshje e shumëpritur Angli?Gjermani Perëndimore. Një takim me një shije të veçantë edhe për Linekerin. Ishte vetëm 6 vjeç, Geri i vogël, kur Anglia fitoi Botërorin e 1966-ës, pikërisht kundër Gjermanisë. Ajo finale e kontestuar nga gjermanët për golin “fantazmë” të Xhefri Hërst… Një kujtim i mjergullt për Linekerin. Në dhomën e tij në fëmijëri gjendej posteri i kapitenit anglez, Bob Muri, në momentin kur mbretëresha Elizabetë i dorëzonte “Kupën Rime”. Katër vjet më vonë, në Botërorin e 1970-ës, gjërat shkuan ndryshe.
Ishte 10 vjeç atëherë, Geri Lineker, dhe atë takim e kujton shumë mirë. Çerekfinale, Gjermani Perëndimore?Angli, përsëri. Pas katër vjetësh, gjermanët kanë mundësi për t’u hakmarrë. Lineker kujtonte edhe emocionet që ngjallte ai takim. Nuk mund ta imagjinonte që 20 vjet më vonë, në fushë kundër Gjermanisë, në një gjysmëfinale të Botërorit, do të ishte pikërisht ai. Ndërkohë, Andreas Brehme shënon penalltinë e parë për Gjermaninë. 1-1. Mungonte Gordon Benks në këtë çerekfinale. Legjendari Gordon Benks, autori i pritjes më të bukur në historinë e futbollit, kundër as më pak e as më shumë, “mbretit” Pele. Kushedi si do shkonte takimi me Benks në portë. Gazetat shkruanin se kishte qenë një birrë meksikane, që kishte pirë një natë më parë, ajo që e largoi nga takimi. Peter Boneti ishte zëvendësuesi i tij. Pele e vendoste portierin e Çelsit mes tre portierëve më të mirë që kishte parë duke luajtur, së bashku me Lev Jashin dhe Gordon Benks.
Boneti; Njuton-Kuper-Labon-Mur; Mallëri-Li-Boll-B.Çarlton; Hërst- Peters; ishin 11 lojtarët e hedhur në fushë nga Alf Ramsei, trajneri që katër vjet më parë kishte udhëhequr “luanët britanikë” drejt triumfit. Helmut Shën, trajneri i Gjermanisë përgjigjet me: Maier; Vogst-Hotges-Bekenbauer-Shelinger-Fitçel; Libuda-Zeler-Myler-Overat-Lohr. Lineker kujtonte shumë mirë skuadrat e rreshtuara në mesin e fushës. Ngjyrat e uniformave ishin ato të katër viteve më parë. Bërdsei shënon penalltinë e dytë për anglezët. 2-1. Anglia luan një pjesë të parë thuajse perfekte, duke mposhtur në çdo repart kundërshtarët gjermanë. Kampionët e Botës mbështeteshin tek një mbrojtje solide, e udhëhequr nga kapiteni Bobi Mur, në një mesfushë ku shkriheshin gjenialiteti i Bobi Çarlton me “mushkëritë” e Boll dhe Mallëri. Sulmuesit Xhefri Hërst dhe Martin Peters kompletonin këtë ekip të frikshëm. Aksioni i golit të parë anglez ishte për manualet e futbollit: Mallëri pas një “muri” në mesfushë me Li, hap lojën në krahë për Njuton, i cili kroson saktë në zonë, ku është vetë Mallëri, që ndjek aksionin dhe shënon në portën e Sep Majerit. Ndërkohë Lotar Mateus shënon. 2-2. Dominimi anglez ishte i pakundërshtueshëm: edhe mbrojtja e çeliktë gjermane dukej e pafuqishme para klasit anglez. Ndërsa në sulm, Overat e Myler, kontrolloheshin mirë nga Bobi Mur. Pjesa e parë mbyllet 1-0, një rezultat që u rri “ngushtë” anglezëve pas shumë rasteve të humbura, kjo dhe për aftësitë e mira të portierit Majer.
Në pjesën e dytë, vetëm pas pak minutash, Njuton kroson përsëri dhe këtë herë ishte Peters, ai që shënon. Fotokopje e golit të parë. 2-0. Aroma e suksesit anglez ishte në ajër. Devid Plat çon përsëri në avantazh anglezët. 3-2.
Në këtë pikë, trajneri Shën hedh në lojë një tjetër sulmues, Gabrovskin. Minuta e 68-të. Bekenbauer, ylli i ekipit gjerman, depërton mes dy anglezëve dhe në hyrje të zonës, mposht Bonetin me një të djathtë, le të themi jo të pakapshme. Boneti nuk ishte Gordon Benks. Lineker e kujtonte ende gafën e portierit anglez. 2-1, ndeshja rihapet. Instiktivisht, Lineker kthen sytë nga stoli gjerman: ja ku është, Karl?Hainz Bekenbauer, “Kaizeri”, njeriu që kishte admiruar 20 vjet më parë në atë takim kundër Anglisë së tij. Tani ishte trajner i Gjermanisë Perëndimore. Ridëll mposht Shilton. 3-3, asnjë gabim deri tani.
Goli i Bekenbauerit i dha një tjetër fytyrë ndeshjes: deri në atë moment Anglia “bënte ligjin”, por pas golit të “Kaizerit” gjermanët fituan siguri. Papritmas, shpresa për të hakmarrë humbjen e ‘66-ës, i kishte dhënë tjetër pamje takimit. Ajo që nuk kuptohet është zgjedhja për të zëvendësuar farin e mesfushës angleze, Bobi Çarlton, 20 minuta para fundit, me Kolin Bell. Ndoshta Ramsei donte ta ruante yllin e tij për ndeshjen gjysmëfinale. Ndoshta. Fakti është që Gjermania vazhdoi të fitonte terren dhe arriti të barazojë shifrat falë një goli të Uve Zelerit. Goditja e tij me kokë e gjeti në kundërkohë Bonetin, që kishte lëvizur nga porta. Është radha e Stjuart Pirs. Geri Lineker qëndron në rrethin e mesit të fushës. Ndërsa vështron Pirs që merr hov për goditjen, rikujton goditjen e Zelerit, që përcjell topin në rrjetën angleze. Boneti është në “tokën e askujt”, duke parë topin që ndalet në fund të portës së tij. Godet Pirs me të majtën. Gjuajtja është e fortë, por qëndrore. Ilgner e ndal me këmbë. Lineker mbyll sytë. Në pankinën gjermane festohet. Pirs kthehet në mesfushë. Lineker e ngushëllon dhe beson ende: në futboll mund të ndodhë gjithçka.
Pas barazimit të Zeler, ndeshja u kthye në favor të gjermanëve, që në kohën shtesë kërkuan fitoren historike. Për Gjermaninë godet Olaf Ton. Shilton gjen krahun, por nuk e ndal dot topin. 3-4. Në të vërtetë anglezët patën një mundësi të madhe në shtesën e ndeshjes, por goli i shënuar nga Xhefri Hërst u anullua për një pozicion jashtë loje, që ngelet i dyshimtë. Ashtu siç ngelet dyshimi mbi atë goditjen e famshme, po të Xhefri Hërstit,
në finalen e 1966-ës, që goditi traversën dhe këceu, jashtë apo brenda, pikërisht në vijën e portës. Geri Lineker shoqëron me shikim Kris Uodëllin, që lëviz drejt zonës së penalltisë. Është ai që gjuan penalltinë e fundit të anglezëve. Pol Gaskonj nuk pati guxim. Vazhdon lëvizjen Kris Uodlli. Me hapa shumë të gjatë i afrohet topit. Vetëm pak më vonë, shumë pak më vonë, erdhi dushi i ftohtë. Krosi i Lohrit erdhi nga e majta, lart. Labon dhe Bobi Mur ishin në qendër të zonës, Boneti në vijë, nuk dinte të dilte apo jo. Topi po zbriste. Dhe ja tek vjen… E kujton shumë mirë Geri Lineker, sikur të ishte tani, sikur të ishte në këtë çast ekzakt, kur në fakt është Kris Uodëlli, që i afrohet topit të pozicionuar në pikën e bardhë. Doli papritur në skenë, fenomeni Gerd Myler, u fut mes dy “kafshëve të shenjta”, Mur dhe Labon, dhe goditi menjëherë, nga brenda zonës së vogël, duke lënë pa fjalë Bonetin dhe gjithë Anglinë. Ishte një gol nga të tijët, një gol alla Myler. Hakmarrja ishte kryer. Gjermania Perëndimore-Anglia 3-2. Kris Uodëll godet në të majtë. Bodo Ilgner hidhet në krahun e duhur, por topi e “parakalon”. Është e lartë, tepër e lartë trajektorja e topit të goditur nga Uodlli, që kalon traversën dhe përfundon rënien e tij diku në pistën e atletikës që rrethon fushën. Karl?Hainz Bekenbaueri ngrihet në këmbë dhe vrapon si i çmendur për të festuar bashkë me djemtë e tij. Njësoj si 20 vjet më parë, Geri Linekeri shikon të njëjtën skenë, kësaj radhe jo në televizion, por përpara syve të vet, mbi fushën e gjelbërt të stadiumit “Dele Alpi”. Karl?Hainz Bekenbaueri, që vrapon me duart drejt qiellit për të festuar fitoren e Gjermanisë Perëndimore ndaj Anglisë. Njëzet vjet më vonë, por asgjë s’ka ndryshuar. Në fund fitojnë gjithmonë gjermanët…
Përgatiti: Fatjon BARDHI
Burimi lajmit Sporti Shqiptar Online

