Edi Rama “Rama: Do transformojmë 100% transportin urban në Tiranë”

Fiore për “mrekullinë”, Bajerni për konfirmim

Posted by Gazetari20 on Mar 10th, 2010 and filed under Gazeta Sporti. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

“Vjollcët” dhe bavarezët luajnë për një vend në çerekfinale, ndërsa kanë pasur luhatje gjatë këtij sezoni

Në mesin e 16 skuadrave që luajnë në Ligën e Kampionëve nuk ka dy skuadra që ndryshojnë më shumë në formën e tyre sesa Fiorentina dhe Bajerni i Mynihut. Këto dy skuadra do të përballen sot në “Artemio Franchi” në Itali me Bajernin që fitoi ndeshjen e parë 2-1, por tashmë edhe më në formë pas marrjes së kreut në Bundesligë ndaj Bajer Leverkusenit.

Edhe pse pësoi gol të shpejtë nga sulmuesi Lukas Podolski i Këlnit, Bajerni barazoi 1 1 të shtunën, duke e çuar në 18 ndeshje ecurinë pozitive në Bundesligë. Fiorentina, nga ana tjetër, ka qenë në rënie të lirë që kur Adrian Mutu doli pozitiv me një substancë të ndaluar në janar. Pas një fillimi mbresëlënës të sezonit në Serinë A dhe veçanërisht në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve, kur fituan dy herë kundër Liverpulit, skuadra vjollcë ka fituar vetëm një ndeshje në nëntë të fundit, atë kundër Livornos.

Edhe pse peruviani Huan Vargas u zëvendësua në ndeshjen kundër Juventusit, do të duhet të jetë në gjendje të luajë në krah të Alberto Xhilardinos, që ka shënuar 11 gola në Serinë A si dhe të malaziasit Stevan Jovetiç, që ka shënuar tre gola në Ligën e Kampionëve, përfshirë dy kundër Liverpulit.

Ndërkohë që Fiorentina do të kërkojë të futet në çerekfinale, Bajerni është kurorëzuar kampion i Evropës katër herë, në vitet 1974, 1975, 1976 dhe 2001. Luis van Gal, i cili i dha Ajaksit lavdinë kundër Milanit në vitin 1995, ka formatuar një skuadër shumë kompetitive, që po e merr veten pas fillimit të dobët. Ndoshta rezultati më mbresëlënës dhe domethënës ka qenë fitorja 4-1 kundër Juventusit në Torino, që i dha skuadrës gjermane biletën për në fazën tjetër.

“E dinim sa e rëndësishme ishte ajo ndeshje, sepse varej e ardhmja jonë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë mesfushori ukrainas Anatolij Timoshuk, që shënoi golin e katërt dhe të fundit të lojës. “Të gjithë presin që të fitojmë një trofe në Evropë dhe me lojtarët që kemi mund ta fitojmë këtë kompeticion.”

Van Gal nuk do të ketë mbrojtësit Martin Demikelis dhe Diego Kontento, të dëmtuar, por do të ketë në skuadër Frenk Riberinë, i cili do të jetë në krah të Arjen Robenit, që ishte vendimtar në ndeshjen e parë. Hera e fundit kur janë takuar këto skuadra ka qenë vjet në fazën e grupeve. Pas fitores 3-0 në Gjermani, Bajerni barazoi 1 1 në Firence. Një rezultat i tillë sonte do të thoshte kualifikim për bavarezët, që do të ishin prapë në çerekfinale si vjet.

(20:45) Fiorentina – Bajern (1-2)
Formacionet e mundshme:
Fiorentina: Frei, Komoto, Kroldrup, Felipe, Paskual, K.Zaneti, Montolivo, Markioni, Jovetiç, Vargas, Xhilardino. Tr: Prandeli
Bajern M: But, Lahm, Van Bujten, Badshtyber, Pranjiç, Roben, Van Bomel, Shvainstajger, Riberi, M.Gomez, Myler. Tr: Van Gal
Stadiumi: “Artemio Franki”


Trajneri i Bajernit nuk ka frikë nga Fiorentina
Van Gal: Kundërshtari ka dy fytyra!

Luis van Gal ka përshkruar skuadrën kundërshtare në konferencën për shtyp para ndeshjes, që u mbajt dje. “Fiorentina është një skuadër e fortë dhe ka dy fytyra; ajo është ndryshe në kampionat e ndryshe në Ligën e Kampionëve. Edhe kur drejtoja Barcelonën, e kam parë një gjë të tillë dhe mund të them se është një situatë e vështirë. Besoj se Fiorentina do të jetë një kundërshtar i vështirë për t’u mundur dhe në Champions ka dhënë përherë maksimumin.”

Van Gal më pas ka folur edhe për yjet e tij, Riberi dhe Roben: “Do të jenë, por jo në formën më të mirë. Roben ka probleme që prej së premtes dhe nuk është stërvitur rregullisht që prej asaj dite. Riberi ka probleme, por do të shohim si do të jetë para ndeshjes.” Trajneri holandez ka statistika më të mira për sa u përket ndeshjeve kundër skuadrave italiane. “Jam kualifikuar gjithmonë, shpresoj të kualifikohem edhe këtë herë.

Kam qenë trajner i skuadrave të forta, me një detyrë preçize për të sulmuar dhe është normale të dominojmë në fushë. Në vigjilje të ndeshjeve jam i qetë për ta përgatitur sa më mirë ndeshjen. Nëse humbim, është diçka që duhet pranuar, sepse është pjesë e lojës.” Van Gal ka thumbuar edhe gjyqtarin, që ndikoi në ndeshjen e parë. “Do të luajmë në sulm dhe nuk do të kufizohemi nga ajo që ndodhi në Mynih. Besoj se do të jetë një spektakël i madh.”

Italiani këshillon të tijtë të mos nguten për të shënuar
Prandeli: Mund të jemi mes “legjendave”

Çezare Prandeli e pret me shumë kënaqësi ndeshjen e kthimit kundër Bajernit, duke thënë se “mund të futemi në histori përfundimisht”. Ai ka folur për planin që do të kthente rezultatin 2-1 të ndeshjes së parë. “Duhet të hyjmë në ndeshje me përqendrimin e duhur. Nuk duhet të bëjmë gabimin që të ngutemi për të shënuar shpejt gol, pasi ata janë të rrezikshëm kur kanë hapësira.

Sigurisht që do të rrezikojmë, por që në fillim do të ketë ekuilibër.” Prandeli nuk do që skuadra e tij të kushtëzohet nga goli i ndeshjes së parë. “Nuk duhet të ndihemi si viktima, do të ishte një autogol dhe do të thotë që nuk jemi të pjekur. Unë mendoj se jemi. Fiorentina nuk po kalon një moment të mirë dhe pëson shumë gola.

Problemi nuk është të mos pësosh, por të kesh ekuilibrin e duhur. E dimë që Bajerni është i pamposhtur në “Allianz Arena”. Do të jetë një ndeshje mjaft e fortë kundër tyre, por kemi kuptuar se me qëndrimin e duhur dhe me kthjelltësi në fushë mund t’i vëmë në vështirësi.”

Kështu ka ndodhur edhe në ndeshjen e shkuar. Prandeli madje ka deklaruar edhe formacionin duke shtuar se ata do të jenë të aftë të përsërisin fitoret e mëdha të arritura në fazën e grupeve. “Kemi luajtur mirë deri tani në këtë turne, pa shumë objektiva, por me dëshirën për të qenë këtu. Duhet ta përjetojmë këtë moment me kënaqësi”, ka përfunduar trajneri i Fiorentinës.

Shifra dhe fakte

0 është numri i ndeshjeve të mbyllura pa gola në raundin e parë për 1/8-t e finaleve të Championsit.
1 skuadër në të kaluarën ka humbur ndeshjen e parë në fushën e saj dhe është kualifikuar në takimin e kthimit. Ka qenë Ajaksi ndaj Panathinaikosit.
2 gola ka shënuar Bekham në ndeshjen e tij të fundit në “Old Traford”, shtatë vjet më parë.
3 herë është ndeshur Sevilja me një kundërshtar rus në fushën e saj dhe në të tre rastet është kualifikuar.
5 herë janë nevojitur penalltitë për të përcaktuar skuadrat çerekfinaliste në Champions.
6 herë ka luajtur Porto në Londër dhe është mundur në të gjitha këto takime.
8 fitore radhazi ka arritur Barcelona në “Kamp Nou” ndaj kundërshtarëve gjermanë.
9 gola me kokë ka shënuar Uejn Runi për Mançesterin në këtë sezon.
15 nga 258 golat e këtij edicioni të Championsit janë shënuar përtej minutës së 90-të.
24 janë rastet kur Porto ka fituar ndeshjen e parë në fushën e saj dhe është kualifikuar në takimin e kthimit.
40 vjet më parë Fiorentina ka luajtur për herë të fundit në çerekfinalet e Championsit.
44 është numri i fanellës së Anatoli Timoshukut, që gjithashtu bleu një shtëpi në katin e 44-t të një grataçiele në Mynih.
68 është përqindja mesatare e qarkullimit të topit nga futbollistët e Barcelonës në Champions. Në ndeshjen ndaj Shtutgartit ata e mbajtën topin për 44 minuta, ndaj 23 të kundërshtarit.
115 goditje drejt portës kundërshtare ka bërë Porto gjatë këtij sezoni të Championsit, më shumë se kushdo tjetër.
267 minuta i janë dashur Majkëll Ouenit për të shënuar katër gola në këtë edicion të Championsit.
620 minuta është rekordi i pathyeshmërisë së portierit të Lionit, Hugo Loris. Për herë të fundit ai ka pësuar gol më 31 janar në fitoren 2-1 ndaj Paris Sën Zhermenit.

Burimi lajmit Sporti Shqiptar Online

Shpërndaje

 

Leave a Reply

Translator
Site Meter