Edi Rama “Rama: Do transformojmë 100% transportin urban në Tiranë”

Galiani: Fitojmë titullin si në 2004-ën!

Posted by Gazetari20 on Mar 12th, 2010 and filed under Gazeta Sporti. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Drejtuesi kuqezi kujton ecurinë e sezonit pas humbjes 4-0 ndaj La Korunjës dhe e krahason me këtë vit


Të shoqëruar nga një optimizëm i madh për të realizuar një mision shumë të vështirë (të fitonin kundër Mançester Junajtid me një diferencë golash, që nuk kish ndodhur asnjëherë më parë në historinë e anglezëve), milanistët e kanë gjetur veten shumë shpejt në një atmosferë që do të kishte qenë mbytëse nëse tifozët e Junajtid nuk do të kishin bërë një festë të edukuar nga minuta e parë deri në të fundit. Ishte e njëjta atmosferë si ajo e La Korunjës gjashtë vite më parë, ose ajo e Stambollit në finalen kundër Liverpulit në 2005-ën, dhe këto dy të fundit kanë qenë me të vërtet dy përmbysje historike. Në Mançester, erdhi fundi i një ëndrre që as tifozët nuk guxonin plotësisht ta mendonin.

Nuk ka ndodhur asgjë e rëndë. Thjesht, Milani ka gjetur limitet e tij. Leonardo, pasi ka pranuar ftesën e Fergusonit për të pirë bashkë verë, analizon. “Ndeshja e parë ka kushtëzuar përgatitjen e takimit, fitorja e Mançesterit është e thellë, mungesat kanë ndikuar shumë, por nuk është momenti për vlerësime teknike. Ka qenë shumë i rëndësishëm aspekti psikologjik dhe goli i parë nuk na ndihmoi. Humbja nuk do të ketë pasoja në kampionat, kemi edhe 11 ndeshje për të zhvilluar dhe duhet të përqendrohemi tek këto”.

GALIANI - Golaeada e pësuar në “Old Traford” në shtëpinë e Milanit, tashmë është pjesë e së shkuarës. Leonardo menjëherë i ftoi lojtarët e tij pas ndeshjes që vëmendjen ta kthejnë në kampionat, ndërsa Adriano Galiani ka motivuar skuadrën, duke e cilësuar Milanin si kandidat për titull: “Pas La Korunjës, – tha zëvendëspresidenti kuqezi, duke kujtuar humbjen e thellë 4-0 që në 2004-ën u kushtoi kuqezinjve skualifikimin nga Championsi, – në fund të sezonit fituam titullin. Këtë vit do të ndodhë e njëjta gjë…”

BESIM - Leonardo ka provuar të mbajë në këmbë ëndrrën në të gjitha mënyrat. Duke thënë, menjëherë pas humbjes, se për një skuadër si Milani ishte normale të mendonte se mund të fitonte 2-0 në “Old Traford”. “Pas ndeshjes së parë kisha shumë besim se mund ta përmbysnim rezultatin. Kemi humbur kundër një ekipi të madh që ka bërë një paraqitje të shkëlqyer. Në lidhje me formacionin, duhej të rekuperonim humbjen e “San Siros” dhe të sulmonim shumë, ndaj kam vendosur të luaj me dy sulmues. Nuk e mohoj se paraqitja e mirë që kemi bërë në Romë na ka bindur t’i besonim këtij formacioni”. Megjithatë ai volum i madh loje dhe zero gola nuk i kishte bindur të gjithë. Përkundrazi.

KUJTIME - Gjatë kthimit për në Milano Leonardo ka folur me të gjithë lojtarët, duke u ndalur më gjatë me Ronaldinjon. Ka patur nevojë edhe ai të ngushëllohet si dhe ka patur nevojë të dëgjojë se gjithçka ishte e mundur. Milani është mësuar me misionet e pamundura: ka fituar finalen më të pabesueshme të Champions Ligës (në atë kohë Kupa e Kampionëve), në Athinë, me mungesa të rëndësishme në mbrojtje, dhe e ka bërë kundër një ekipi që quhej “Skuadra e Endrrave”. Milan-Barcelona 4-0, maj 1994, pa Barezin dhe Kostakurtën. Por, ka qenë një histori tjetër, kanë kaluar shumë vite. Milani është eliminuar në turin e parë me eliminim direkt në kupën UEFA vitin e kaluar dhe dy vite më parë është larguar nga Championsi në 1/8-at.

Humbja në Mançester ka qenë shumë zhgënjyese për portierin e Milanit
Abiati i zhgënjyer: Një humbje turpëruese

Eliminimi ishte i parashikueshëm, humbja gjithashtu, pas dëmtimeve të fundit të Nestës dhe Antoninit, por përfundimi i ndeshjes me një rezultat turpërues 4-0 kaloi çdo parashikim negativ që mund të kenë patur në shtëpinë e Milanit para takimit të “Old Traford”. Këtë e tregojnë fjalët e sinqerta, midis zemërimit dhe hidhërimit, te Abiatit: “Sinqerisht, ndihem pak i turpëruar, për këtë rezultat, sepse skuadra që ka fituar më shumë tituj në botë ka humbur 4-0…”. Një ulje koke që gjithsesi nuk është pranuar nga Adriano Galiani, që, përveç se ka folur për mungesat e rëndësishme të kuqezinjve (”ishim praktikisht pa mbrojtje”), ka shpjeguar pse “djalli” nuk duhet të pendohet për asgjë: “Problemi i vërtetë është se ata kanë më shumë parà.

Të ardhurat tona nuk mund të krahasohen me ato të Mançesterit. Problemi është ai i stadiumeve private. Një çështje që do të vazhdojë të na kushtëzojë edhe për shumë kohë. Asnjë dramë, duhet të shikojmë përpara…”. Ndërkohë, Devid Bekham ka qenë shumë i prekur nga pritja që i kanë bërë tifozët e Mançester Junajtid: “Ka qenë një gjë e pabesueshme.

Një natë emocionuese për pritjen që më kanë bërë tifozët, por shumë e hidhur për rezultatin, – ka deklaruar mesfushori anglez i Milanit. – Qëndrimi në stol ishte i vështirë, shpresoja të isha në fushë. Objektivi tani është kampionati. Diferenca me Junajtid qe e dukshme, por ngushëllimi i vetëm është fakti që kemi humbur kundër një skuadre të madhe”.


Mbrojtësi kuqezi ka probleme me gjurin, Ndaj Kievos do të mungojë edhe Pato
Alesandro Nesta rrezikon sezonin

E keqja nuk ka fund dhe nëse pas disa ditësh humbja turpëruese në “Old Traford” do të lihet pas krahëve, Milani tani është i shqetësuar për gjendjen e Alesandro Nestës. Mbrojtësi ka munguar në sfidën me Mançesterin për një problem në gjurin e djathtë. Vetëm pas testeve që do të bëhen në ditët në vazhdim do të mund të kuptohet më mirë sesa serioz është dëmtimi i mbrojtësit.

Por, Leonardo nuk është shprehur optimist: “Kam frikë se është diçka serioze”. Domethënë, një javë e nisur në mënyrën më të keqe për kuqezinjtë, që tani presin të mësojnë fatin e Nestës. Sepse një diagnozë e mundshme negative mund të krijojë një boshllëk të madh në mbrojtjen që është fundosur nga Runi me shokë. Por lista e të dëmtuarve nuk mbaron me Nestën. Dhe ka të bëjë gjithmonë me mbrojtjen e Leos.

Bonera është i dëmtuari i fundit, i cili duket se ka pësuar një tërheqje në pulpë, që e ka detyruar lojtarin të mungojë në pjesën e dytë të takimit të së mërkurës në mbrëmje. Ndërsa, është më pak shqetësuese situata e Antoninit, i ndalur nga një shqetësim i lehtë muskulor, por të dielën kundër Kievos duhet të jetë në dispozicion. Përsa i takon takimit të së dielës në mbrëmje kundër Kievos do të mungojë sigurisht Aleksandre Pato: braziliani “do të rikthehet të punojë me skuadrën javën e ardhshme”, është bërë e ditur nga klubi kuqezi dhe kështu ka shpresë të jetë në dispozicion për ndeshjen që Milani do të zhvillojë më 21 mars në “San Siro” kundër Napolit.

Presidenti
Zemërimi, Berluskoni fik televizorin

Mançester Junajtid-Milan ka përfunduar kur “djajtë e kuq” kanë çuar shifrat në 2-0. Edhe për Silvio Berluskonin. Numri një i kuqezinjve, në fakt, ka preferuar të fikë televizorin për të evituar të shikonte fundosjen totale të skuadrës së tij. Sikur ta dinte se ndeshja e “Old Traford” do të përfundonte akoma më keq. “Kush është me Milanin? – ka pyetur Berluskoni gjatë një darke me disa senatorë. – Ju vjen keq nëse e fikim televizorin? Eshtë më mirë nëse e fikim…”. Por përtej zhgënjimit për humbjen, të pranishmëve Berluskoni nuk iu është dukur shumë i mërzitur për rezultatin ose për lojën e skuadrës. Përkundrazi, është dukur indiferent, duke parë se nuk ka dashur të mësojë rezultatin përfundimtar të takimit. Dhe ndoshta kjo është akoma më keq.

Burimi lajmit Sporti Shqiptar Online

Shpërndaje

 

Leave a Reply

Translator
Site Meter