Paniku në një festival muzikor të Gjermanisë la të paktën 19 të vdekur dhe disa dhjetra të plagosur, disa prej tyre rëndë.
Ngjarja ndodhi në qytetin Duisburg, jo shumë larg Dyseldorfit, kur turma njerëzish u grumbulluan pranë një tuneli që të çonte tek festivali i quajtur Parada e Dashurisë. Numri i madh i njerëzve u bë shkak për panik dhe disa nga të pranishmit gjetën vdekjen të shkelur nga turma.
Policia gjermane vazhdon hetimet për të gjetur me saktësi se si rrodhën ngjarjet që çuan në panik.
Organizatorët e festivalit vendosën ta lejonin fillimin e aktivitetit nga shqetësimi se anulimi i tij mund të shkaktonte kaos të mëtejshëm mes qindra mijra njerëzve që kishin ardhur për të marrë pjesë. Shumica e njerëzve vazhduan të festojnë pa e ditur se çfarë kishte ndodhur.
Udhëheqësit e Gjermanisë shprehën keqardhje për tragjedinë. Presidenti Kristian Vulf e quajti këtë një ngjarje rrënqethëse dhe vuri në dukje se tragjedia ndodhi në një festival paqësor të rinjsh që vinin nga shumë vende të botës.
