Kryeministri Berisha mori pjesë sot në hapjen e punimeve të “Konferencës së 7-të Ministrore mbi Bashkëpunimin në Fushën e Sigurisë së Kufijve në Evropën Juglindore”. Në konferencën, e cila kryesohej nga Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Lulëzim Basha, si dhe bashkëkryetarët Ivica Dadiç, Ministër i Brendshëm i Republikës së Serbisë dhe ambasadori dr.Theodhor H.Winkler, drejtor i DCAF (Qendra e Gjenevës, për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura), merrnin pjesë ministrat e brendshëm të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të vendeve të Bashkimit Evropian. Kjo konferencë kishte si synim rikonfirmimin e vullnetit të vendeve të rajonit, për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, në rritjen e sigurisë së kufijve të përbashkët, si dhe angazhimin maksimal të këtyre vendeve në përpjekjet për garantimin e lëvizjes së lirë dhe të sigurtë të mallrave dhe njerëzve në këto kufij.
Bashkë me Kryeministrin Berisha, për të përshëndetur këtë konferencë, ishte i pranishëm edhe ambasadori Manuel Montobbio, në emër të Presidencës Spanjolle të Bashkimit Evropian, si dhe Aneil Sing, sekretar i përgjithshëm i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.Duke përshëndetur punimet e konferencës, Kryeministri Berisha e cilësoi çështjen e sigurisë së kufijve, si një çështje madhore, të rëndësishme dhe sensitive, për vendet, kombet dhe qytetarët në tërësi. Kryeministri theksoi se kjo çështje duhet trajtuar si një detyrim dhe një përgjegjësi e madhe për qeveritë e vendeve të Evropës Juglindore ndaj qytetarëve të tyre, por edhe ndaj partnerëve evropianë.Kryeministri theksoi ndër të tjera, se fitimi i së drejtës për të lëvizur lirisht në hapësirën evropiane, nga Serbia, Mali i ZI, Maqedonia dhe së shpejti nga Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina, vendos para qeverive të këtyre vendeve përgjegjësi të reja, në një luftë të përbashkët, sa më eficente, ndaj krimit të organizuar, e cila ka si kusht kryesor sigurinë e kufijve.Kryeministri Berisha u shpreh se gjatë vitit të fundit qeveria ka bërë dhe bën përpjekjet më serioze në procesin e integrimit për të merituar heqjen e vizave për shqiptarët. Në këtë kontekst, kryeministri falënderoi Komisionin Evropian dhe vendet mike për mbështetjen e dhënë. Udhërrëfyesi i ofruar për këtë qëllim, theksoi kryeministri ka përbërë një bazë solide për reformat ë thella dhe ndryshime të gjithanshme, të cilat kanë modernizuar në shkallë të lartë kontrollin e integruar të kufijve të vendit, kanë rritur dhe rrisin gjithnjë e më shumë sigurinë e qytetarëve tanë.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Të nderuar zotërinj ministra të brendshëm të vendeve të rajonit, shkëlqesi ambasadorë, pjesëmarrës në këtë konferencë, zonja dhe zotërinj.Është nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të përshëndes Konferencën e 7-të të Sigurisë së Kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, t’ju uroj ju zotërinj ministra mirëseardhjen në Tiranë, përshëndes përzemërsisht, qeveritë dhe kombet tuaja. Ju mblidheni sot në kryeqendrën e vendit tonë për një ndër problemet më madhore më të rëndësishme, më sensitive të vendeve, të kombeve dhe qytetarëve tanë, atë të sigurisë së kufijve. Por mblidheni sot për këtë çështje madhore, si përfaqësues të vendeve të lira dhe kjo përbën një rëndësi shumë të madhe. Vendet tona sot, ju ministra, ekspertët, qeveritë, trajtojnë çështjen e sigurisë së kufijve, si një çështje të sigurisë, të shoqërive tona, si një çështje të sigurisë së jetës së qytetarëve tanë, si një çështje të sigurisë së veprimtarisë së gjithanshme në vendet tona; trajtojmë çështjen e sigurisë së kufijve si një detyrim dhe një përgjegjësi të madhe për qeveritë tona ndaj qytetarëve, por edhe ndaj partnerëve evropianë.Pak muaj më parë Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, fituan të drejtën e lëvizjes së lirë në mbarë kontinentin. Shqipëria, Bosnja-Hercegovina janë në prag të këtyre vendimeve. Natyrisht ky zhvillim rrit përgjegjësinë tonë ndaj partnerëve tanë kudo në Evropë një luftë e përbashkët, eficente, ndaj krimit të organizuar e cila ka si konditë, ”sinequanon” sigurinë e kufijve, është në përgjegjësinë tonë më të madhe. Krimi i organizuar shqiptar për disa vite fitoi përmasa shumë të mëdha, agresivitet të shkallës më të lartë, fuqi ekonomike enorme. Që në fillim qeveria ime, u angazhua për një luftë me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Forcat e rendit dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, me një vendosmëri të lartë, me një profesionalizëm të madhe, por edhe kurajë e guxim të veçantë, në një hark kohor 18-mujor çmontuan njëra pas tjetrës, mbi 206 grupe dhe organizata kriminale, ndaluan, identifikuan, arrestuan, vendosën para ligjit rreth 1 mijë anëtarë dhe drejtues të këtyre organizatave. Lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar funksionoi dhe në bindjen time më të thellë, zero toleranca është shtylla kryesore, mbi të cilin duhet bazuar lufta kundër krimit të organizuar.Shqipëria, hap pas hapi ia doli të ketë treguesit e kriminalitet qartësisht më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të BE. Një seri ligjesh u modifikuan, u amenduan dhe miratuan për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ligje të tjera të domosdoshme. Një punë të lavdërueshme kanë bërë këtu edhe seksionet e luftës kundër krimeve të rënda në gjykatën dhe prokurorinë shqiptare.Bashkërendimi i punës midis agjencive dha rezultate të ndjeshme. Parlamenti miratoi para 3 vitesh dhe rivotoi përsëri para dy muajsh moratoriumin për ndalimin në ujërat e Shqipërisë të të gjitha skafeve, anijeve të shpejta, të vogla, të cilat nuk ishin gjë tjetër veçse industri e mafies, me të cilat mafia mbillte trafiqe, por edhe vdekje të qytetarëve të pafajshëm në ngushticën e Otrantos. Që nga moratoriumi i parë, që u rivendos përsëri dhe do të rivendoset për sa kohë qytetarët shqiptarë të votojnë, nuk kemi regjistruar asnjë viktimë në ujërat e Adriatikut, sikundër ka një rënie dramatike drejt zeros të trafikut të lëndëve narkotike dhe trafiqeve të tjera kriminale drejt brigjeve të Italisë. Janë bërë investime serioze për një kontroll digjital të kufijve. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar është instaluar dhe funksionon sistemi Tims, edhe në disa prej tyre që nuk kanë më shumë se 30 apo 40 udhëtarë që i kalojnë ato.Është krijuar qendra ndërinstitucionale, operacionale detare. Pas vendosjes së një sistemi modern radarësh që kontrollojnë ujërat territoriale të vendit, është krijuar dhe qendër e përbashkët midis rojës bregdetare, policisë kufitare, autoriteteve portuale që po funksionon me rezultate shumë të mira. Ndryshime rrënjësore janë shënuar në dokumentat e identitetit të qytetarëve.Më e vonuar se vendet tuaja në këto dokumente Shqipëria nga muaji maj i vitit që shkoi deri më sot ka lëshuar mbi 500 mijë pasaporta biometrike të teknologjisë më të lartë. Kemi vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer me vendet tuaja dhe jemi të gatshëm ta konsolidojmë atë me marrëveshje të reja.Shqipëria është e vendosur të firmosë çdo marrëveshje me vendet tuaja mike,çdo marrëveshje me vendet anëtare të BE-së, të cilat i shërbejnë eficencës së luftës kundër kriminalitetit. Një marrëveshje model kemi me Malin e Zi, me këtë vend fqinj ne bëmë kontrollin e përbashkët të kufirit, po kështu me Maqedoninë. Me Malin e Zi kemi krijuar një pikë të përbashkët doganore dhe policore, shpresoj që të procedoj dora dorës me pika të përbashkëta edhe me republikën e Maqedonisë dhe Kosovës, në mënyrë që të lehtësojmë sa më shumë kalimin e kufijve tanë burokratikë.Marrëdhënie shumë të mira janë vendosur me organizatat ndërkombëtare si Europolin, Interpol, etj. Jemi të gatshëm me të gjitha vendet të firmosim marrëveshjet e ekstradimit dhe çdo marrëveshje tjetër të funksion të luftës kundër kriminalitetit. Gjatë vitit të fundit qeveria ka bërë dhe bën përpjekjet më serioze në procesin e integrimit, për të merituar heqjen e vizave për shqiptarët. Por duhet të falënderoj Komisionin Evropian dhe vendet mike. Udhërrëfyesi i ofruar për këtë qëllim ka përbërë një bazë solide për reforma të thella dhe ndryshime të gjithanshme, të cilat kanë modernizuar në shkallë të lartë kontrollin e integruar të kufijve të vendit, kanë rritur dhe rrisin gjithnjë e më shumë sigurinë e qytetarëve tanë.Kjo konferencë sigurisht që do të nxjerrë konkluzione dhe detyra të reja, për të rritur në një nivel më të lartë përpjekjen për sigurinë më të mirë të kufijve, bashkëpunimin më të mirë rajonal, bashkëpunimin më të mirë ndërkombëtar.Ndaj më lejoni ti uroj edhe njëherë suksese punimeve të saj dhe të përshëndes pjesëmarrjen në këtë konferencë.
BotaSot.info
