Presidenti i Interit është shprehur i zhgënjyer për barazimin 0-0 të marrë kundër Xhenoas
Një hap fals apo vetëm një hap i vogël përpara? Për Masimo Moratin barazimi me Xhenoan ka qenë zhgënjyes. “Nuk besoj se mund të flitej për një shkëputje të madhe, por do të kishin qenë sigurisht disa pikë më shumë. Më pas, në fund do të bëhen llogaritë”, ka thënë presidenti interist, i cili ka “fajësuar” mungesën e Mourinjos për dy pikët e humbura të dielën në mbrëmje. “Eshtë e qartë që prezenca e tij në stol është e rëndësishme.
Sigurisht dinamizmi i tij u transmetohet direkt lojtarëve në fushë më lehtësisht nga stoli”. Megjithatë, Morati nuk ka qenë i kënaqur as nga paraqitja e skuadrës: “Më duket se Interi nuk e ka nisur takimin me mentalitetin e duhur. Mund të ndodhë disa herë, dhe kjo ka ndodhur në pjesën e parë. Pjesa e dytë ka qenë më e mirë, por vetëm 45 minuta nuk mjaftojnë për të fituar një ndeshje”. Numri një zikaltër ka përjashtuar se lojtarët mund ta kishin mendjen tek Çelsi. “Nuk besoj. Mungojnë akoma dhjetë ditë për këtë sfidë dhe nuk mendoj se ka qenë ky problemi. Por besoj se kundër Xhenoas ka munguar karakteri i zakonshëm”.
Nuk ka dashur të flasë për merkato Morati. Duke filluar nga zgjatja e kontratës së Balotelit: “Nuk besoj se dikush nga ne ka folur për këtë mundësi, duke parë se Mario e ka një kontratë. Nuk e di nga kanë dalë këto zëra”. Ndërkohë, në përfundim të takimit të “San Siros” ka qenë Marko Branka që ka përfaqësuar Interin para gazetarëve.
“Nuk besoj se një rezultat tjetër do të kishte ndryshuar qëndrimin tonë, – ka thënë ai. – Ne bëjmë ndeshjen tonë dhe luajmë gjithmonë në maksimum”. Në lidhje me paraqitjen zhgënjyese të skuadrës: “Eshtë penalizues për ne fakti që Mourinjo nuk është në stol dhe kjo ndikon negativisht tek skuadra”. Sipas Brankës, paraqitja jo shumë pozitive e Interit ka ardhur si pasojë “e impenjimit të lojtarëve zikaltër në mesjavë me kombëtaret respektive, ku pjesa më e madhe e futbollistëve tanë kanë luajtur për 90 minuta.
Nuk mund të luash gjithmonë në maksimum. Dhe gjithsesi është një pikë e marrë kundër një skuadre të mirë dhe tani kemi një ndeshje më pak për të luajtur”. Ish-sulmuesi toskan ka minimizuar edhe gjestin e Muntarit, i cili ka dalë nga fusha shumë i nervozuar. “Besoj se ka qenë i zemëruar për arsyen e zakonshme, nuk donte të zëvendësohej.
Sulei është një djalë i qetë, disa gjeste të caktuara nuk duhet të bëhen sepse bëhet fjalë për profesionistë, por janë edhe njerëz ndaj edhe atyre u vjen keq të zëvendësohen. Nuk ka asgjë më shumë”. Dhe nëse Baloteli “nuk ndihej shumë mirë, si shumë lojtarë të tjerë të ekipit”, Branka ka dashur të nënvizojë se “prej vitesh po tregojmë se midis aftësive tona është edhe vazhdimësia. Kundër Xhenoas ka qenë një paraqitje nën mesatare, kjo është e gjitha”, ka përfunduar Branka.
Burimi lajmit Sporti Shqiptar Online

