Portugezi është dukur i acaruar me lojtarët e tij nga shkallët e stadiumit, pasi ishte i pezulluar
Ka përfunduar me Hoze Mourinjon që i ka dhënë urdhëra skuadrës nga shkallët e stadiumit. Portugezi është dukur i zhgënjyer, pothuajse i acaruar për një Inter që ka bindur vetëm në minutat e fundit. Nëse do të kishte qenë në stol do t’i kishte kritikuar që nga minuta e parë lojtarët e tij. Fillimi i ndeshjes ka qenë i mërzitshëm, më pas zikaltrit janë dukur të dorëzuar para murit të ngritur nga Gasperini. Rizgjimi ka qenë i vonuar, dhe nuk ka qenë shumë ngushëllues për Mourinjon fakti se ka arritur në kuotën e 160 ndeshjeve në shtëpi pa pësuar humbje në kampionat dhe kupat kombëtare.
Ai, në fakt, i konsideron barazimet në shtëpi si gjysëm humbje. Këtë e ka treguar edhe të dielën në mbrëmje, kur në minutat e fundit ka lënë vetëm Zanetin në mesin e fushës, duke aktivizuar njëkohësisht në sulm Balotelin, Etonë, Militon dhe Kuarezmën. Tekniku portugez në fillim e ka ndjekur takimin në një nga ambientet e mbyllura, që ndodhen sipër tribunës vip të “San Siros”.
Por i nxehti dhe rehatia nuk janë gjëra që i pëlqejnë, mbi të gjitha kur loja e skuadrës së tij lë për të dëshiruar. Kështu, Mou ka dalë nga “bunkeri”, për të zbritur disa shkallë dhe në minutat e fundit pothuajse ka hyrë në fushë, duke u bërtitur dhe duke u dhënë urdhëra lojtarëve të tij. Barazimi midis Romës dhe Milanit duhet të ishte shfrytëzuar më mirë.
Mou kërkonte një mentalitet të ndryshëm. Dhe reparti që ka zhgënjyer më shumë ka qenë sulmi. Keq Milito, shumë keq Pandev, paraqitje zhgënjyese edhe nga Eto, ndërsa Baloteli ka luajtur, duke qenë me temperaturë të lartë. Dhe kjo shpjegon edhe nervozizmin që sulmuesi ka treguar gjatë ndeshjes dhe mbështetjen e madhe që ka marrë nga shokët e skuadrës, mbi të gjitha në fundin e ndeshjes kur energjitë kishin shteruar.
Portieri brazilian
Hulio Sezar: Në Londër do të kualifikohemi
Tashmë frika është lënë pas krahëve, po ashtu edhe shenjat në fytyrën e Hulio Sezarit po zhduken. Kështu portieri i Interit mund të tregojë me lehtësim, por edhe duke kritikuar veten, aksidentin automobilistik, që i ka ndodhur disa ditë para ndeshjes me Çelsin që mund t’i kushtonte shumë, me Lamborginin e tij të shkatërruar plotësisht.
“Po i jepja makinës time, – ka shpjeguar braziliani, – dhe me mua ishte gruaja e një shokut tim. Kam dashur të rris shpejtësinë pak për të dëgjuar zhurmën e motorrit, kam kaluar mes një pellgu me ujë dhe kam humbur kontrollin e makinës. Kam mësuar shumë nga ky aksident, sepse kam kuptuar që kam vënë në rrezik jetën time dhe atë të një njeriu tjetër.
Mund të kisha humbur gjithçka për një budallalëk dhe tani nuk shpejtoj më. Disa ditë më parë, për shembull, kam qenë i ulur në krah të Lusios që po i jepte makinës dhe i kam kërkuar të ulë shpejtësinë, sepse kisha frikë…”. Makthi, famtirësisht, i përket të kaluarës, dhe portieri interist tani është i karikuar për ndeshjen e kthimit me Çelsin: “Në takimin e parë kemi pësuar një gol të çuditshëm, por në Londër do të pres gjithçka dhe do të kualifikohemi”, ka thënë Sezar.
Ish-sulmuesi zikaltër
Adriano, përsëri probleme me alkoolin
Nuk ka qetësi për Adrianon. Pasi është keqtrajtuar nga ish e dashura e tij, kanë ardhur fjalët e zëvendëspresidentit të Flamengos, sipas të cilit “perandori” ka akoma probleme me alkoolin: “Nuk është shëruar plotësisht, – ka shpjeguar Markos Braz – dhe ka rifilluar të pijë për shkak të një çështjeje personale”. Pikërisht për këtë arsye, sulmuesi brazilian do të mungojë në ndeshjen e nesërme kundër Karakasit në Kupën Libertadores. Braz ka shtuar më pas se Adriano nuk ka probleme me drogën, siç flitet në Brazil. “Eshtë absurde ta deklarosh një gjë të tillë, problemi i tij është vetëm alkooli”, ka thënë Braz.
Presidenti i Xhenoas
Preciozi: Në Milano një pikë e rëndësishme
Enriko Preciozi ka qenë i kënaqur me barazimin e marrë kundër Interit në “San Siro”. Një rezultat i mirë pas humbjes zhgënjyese kundër Bolonjës. “Ka qenë një pikë e rëndësishme kundër një skuadre të fortë, – ka thënë presidenti i Xhenoas. – Vinim nga një ndeshje e humbur në minutën e fundit me Bolonjën dhe skuadra ka patur dëshirë të reagojë. Gasperini? Duhet të qëndrojë me ne edhe për shumë kohë”. Në fund ka ardhur një koment për grumbullimin e mundshëm të Mikolit dhe Balotelit me Italinë. “Baloteli është një kampion, por disa herë është irritues në fushë, – ka thënë Preciozi. – Ndërsa Mikolin do ta merrja në Botëror”.
Burimi lajmit Sporti Shqiptar Online

