40Nga: Armand Shkullaku

Në Shqipëri, çdo ditë e më shumë po mbizotëron një konfliktualitet politik që në kushtet aktuale duket i pakuptimtë e gati absurd. Eshtë e vështirë të shpjegosh se përse një mazhorancë kaq e fortë sa kjo që erdhi në pushtet pas 23 qershorit, e ka të nevojshme të prodhojë situata konflikti, aq sa ta çojë opozitën drejt vendimeve ekstreme. Aq shumë është radikalizuar komunikimi politik, sa vetëm pas gjashtë muajsh të qeverisjes së majtë, Partia Demokratike gjendet sot përballë alternativës së daljes nga parlamenti. Rasti i fundit, sigurisht më arroganti, ai i përvetësimit ditën për diell të kompetencave të presidentit të Republikës në propozimin e emrave për drejtimin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), ishte një provokim i hapur dhe i qartë për të ndezur konflikt. Dhe konflikti sigurisht u ndez. Gjuha e egër në seancën e javës së kaluar në Kuvend dhe dilema e PD për ta bojkotuar atë, i futën shqiptarët përsëri nën trysninë dhe ankthin e esktremizmit politik që po e tërheq vendin zvarrë prej dy dekadash.

Nëse në fazën e parë, qaravitja e qeverisë për arkën bosh, për bëmat e Saliut, për muret e kryeministrisë apo administratën e korruptuar, ishin deri diku të justifikueshme, vazhdimi i kësaj strategjie po bëhet e rrezikshme. Retorika e shumicës tashmë është ngritur disa tone më lart dhe kjo sigurisht që nxit një tension të pashmangshëm. Po akuzohet presidenti i Republikës, gjyqtarët, prokurorët, SHISH e të tjera institucione se po i bëhen pengesë shumicës 1 milionëshe për të ndryshuar Shqipërinë. Po prodhohet kështu një konflikt artificial në thelb, që normalisht nuk do të ishte aspak i dobishëm për një pushtet që ka të pakëtn 85 vota dhe kontrollon mekanizmat kryesorë të vendimmarrjes.

Atëherë përse kjo strategji, përse i duhet mazhorancës një betejë me opozitën dhe me një pjesë të institucioneve publike? Përse po ngulmon ajo të krijojë idenë sikur qeveria gjendet në rrethim dhe po luftohet nga të katër anët? Shpjegimet e mundshme në të gjitha rastet lidhen me aftësinë e Edi Ramës për të bërë kryeministrin. Në radhë të parë, Edi Rama nuk ka dëshmuar ndonjëherë aftësi drejtuese si politikan në pushtet. I kultivuar nën hijen e Fatos Nanos apo Ilir Metës, ai nuk ka patur asnjëherë përgjegjësi direkte për fatet e qytetarëve shqiptarë. Në drejtimin e bashkisë së Tiranës ai kishte luksin që ia siguronin kryeministrat socialistë për të eksperimentuar idetë e tij që si në një cirk të linin të befasur në fillim, por që në fund e katandisën kryeqytetin në gjendjen që është sot. Fati i tij ka qenë më shumë i lidhur me fatin e përplasjeve brenda në PS se sa me rritjen e tij si politikan, më shumë me intrigat dhe interesat se sa me besimin tek një ide. Ndoshta për këtë arsye, edhe sot që është kryeministër Edi Rama e ka të pamundur të ndjekë një vizion të tijin apo idetë që thotë se beson. E për të mbuluar këtë preferon të gjenerojë zhurmë e konflikt si një mënyrë për t’i mbajtur të tijët të bashkuar nga hija e armikut dhe jo nga besimi tek lidershipi i tij. Kjo paaftësi mund të shpjegojë se përse një kryeministër me një mazhorancë kaq të fortë, shpenzon orë të tëra në retorika agresive në Kuvend dhe orë të tëra nëpër ekranet e tv duke u marrë me kundërshtarin. Ashtu siç kalon ditë të tëra duke iu përkushtuar intrigave të shpifura e diversioneve ndaj opozitës nëpër restorantet e Tiranës, në vend që të ndjekë rrugën e tij.

Por konflikti i panevojshëm në të cilin gjendemi sot, aq sa është një pasojë e deformimit politik të kryeministrit Rama, po aq është edhe një mbulesë e paaftësisë së tij për të drejtuar një qeveri. Duke ushqyer këtë konflikt, shumica sajon një alibi për të justifikuar dështimet e saj. Ndonëse i ka duart plotësisht të lira t’i përvishet punës për të realizuar programin e saj ambicioz, për më tepër që nevoja për ndryshim kishte krijuar një klimë favorizuese në këtë drejtim, qeveria i ka përqëndruar energjitë tek betejat me opozitën, nga komisioni hetimor për policinë e deri tek shkarkimi i Zana Xhukës. Në pamundësi t’i bindë shqiptarët se di ta bëjë detyrën e kryeministrit, Edi Rama në vend të kazmës ka marrë pushkën për të sajuar konflikt e zhurmë. Duket se nuk ka çfarë bën tjetër kur e gjithë puna e tij gjashtë mujore janë ca aksione të shfryra ndaj lojërave të fatit, ca ndërtime selektive që mezi i binden tritolit, nja dy dreka e darka me Bamir Topin dhe trotuari buzë detit në Vlorë që do ta projektojë një studio belge që i përshtatet shijeve arkitekturore të kryeministrit. Pa harruar të shtojmë fjalimet pa pikë e presje për orë të tëra (për të cilat ishte tallur dikur me paraardhësin) ku bien në sy mendime të thella si reformat janë të rëndësishme, të rinjtë duhet të shkojnë në shkollë apo ligjet i kemi të mira por nuk dimë t’i implementojmë.

Duke mos arritur të bëjë dot kryeministrin, Edi Rama mendon se do t’ia hedhë duke e mbajtur të ndezur konfliktin me opozitën. Por, nëse radikalizmi mezi e solli në pushtet, (u detyrua të gëlltisë ortekun e akuzave ndaj LSI), ai nuk përbën një rregull të artë për ta mbajtur aty ku është. Ai është votuar për të qeverisur dhe jo për të mbajtur vendin nën tension në mënyrë absurde dhe të panevojshme.

Jep komentin tuaj

te komentuar

Leave a comment

Albania News Agency Online - Albania Portal me lajme shqip 2014!