Ballina LAJME Precedenti “Tahiri”, grupi i Met Kananit kërkon “arrest shtëpie”

Precedenti “Tahiri”, grupi i Met Kananit kërkon “arrest shtëpie”

12
0
SHPËRNDAJE

13 prej të dyshuarve si grupi i trafikantit Met Kanani dolën para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me akuzat e trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.

Por, duke marrë shembull nga rasti i ish-ministrit, Saimir Tahiri, avokatët e dy prej të dyshuarve kërkuan që klientët e tyre të mos lihen arrest me burg, por në arrest në shtëpi.

Sipas avokatit të Orges Islamit, kjo gjykatë tashmë ka vendosur një praktikë të arrestit shtëpiak për veprat e trafikut, madje sipas avokatit Alban Bengasi, edhe për persona me status të posaçëm. “Të gjithë janë të barabartë para ligjit”, mësohet të ketë thënë avokati, kërkesa e të cilit nuk u pranua nga gjyqtarja Flora Hajredinaj.

Edhe i dyshuari Klinsi Aliaj kërkoi t’i jepet arrest shtëpiak. Përmes avokatit të tij, Lin Alia, i pandehuri këmbënguli të dërgohet në shtëpi me të njëjtin arsyetim.

Kjo gjykatë tha avokati, ka tashmë një praktikë, ku për vepra si trafiku jep arrest shtëpie.

“E dimë të gjithë rastin dhe le të mos të përmendim emra”, shtoi avokati.

Si funksiononte grupi i Kananit?

Klinsi Aliaj, 23 vjeç, gjatë hetimeve të zhvilluara nga prokurorja Elisabeta Imeraj del i implikuar në përgjime. I riu përmendet gjatë komunikimeve telefonike të anëtarëve të bandës nga i dyshuari tjetër, Mentor Muça.

Ai merr përsipër të transportojë hashash me një kamion nga Maqedonia drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ky episod bën fjalë për ngjarje të ndodhura në 26 shkurt 2018, kur thuhej se droga do të kalonte kufirin e gjelbër me mushka, e më pas do të transportohej me një kamion tjetër nga Klinsi Aliaj deri në Strugë.

Prokurorja Elisabeta Imeraj tha se grupi, i cili ka deri më tani 38 anëtarë të arrestuar në vende të ndryshme ka si udhëheqës Met Kananin, Bilbil Heqimin dhe Arvanit Ulndreaj.

Në hetimet që përfshinë Greqinë, Turqinë, Bullgarinë por edhe DEA-n amerikane, vetëm në një episod mes kufrit me Bullgarinë dhe Maqedoninë grupit i janë sekuestruar mbi tetë tonë kanabis.

Rasti më i fundit i goditjes së grupit, tha prokurorja Imeraj, ndodhi në 19 mars 2018 , ku u bllokuan 1.1 tonë drogë dhe mes 11 shqiptarëve të arrestuar u kap edhe baroni i drogës Met Kanani.

Ky i fundit shfaqet shpesh në komunikime telefonike me anëtarët duke folur herë shqip, herë anglisht e herë spanjisht.

Pikërisht gjatë këtyre bisedave shfaqet edhe e dashura e Met Kananit, e cila aktualisht është në kërkim. Ajo quhet Serenela dhe në një rast Met Kanani i raporton asaj se Aliu i kishte kërkuar të shkonte në Ekuador.

“Shko!” i thotë Serenela. Komunikimi i fundit me të kërkuarën misterioze ndodhi tre ditë para se Met Kanani të arrestohet në Turqi.

Përgjimi

Serenela: Ti ça do të bësh?
Met Kanani: Unë, ja punë.
Serenela: Do të vazhdosh edhe ca thuaj.
Met Kanani: Punë, punë natë e ditë që të japim pakëz dritë.
Serenela: Inshallah do Zoti të ketë një çikë të drejtë rilindasi.

14 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)