Ballina LAJME “Vëllai” i Xhafajt dhe pushteti familjar i Sali Berishës

“Vëllai” i Xhafajt dhe pushteti familjar i Sali Berishës

24
0
SHPËRNDAJE

Nga Mero Baze

Ministri i Brendshëm i qeverisë socialiste po vihet në shënjestër, pas pretendimeve ende të paverifikuara, rreth një bisede të vëllait të tij me një të panjohur, të cilin PD e përshkruan si trafikant hashashi. Kaseta kërkon ekspertizë të menjëhershme nga Prokuroria dhe zbulim të rrethanave në të cilën është kryer, për të kuptuar të vërtetën, dhe për ta ndarë atë nga spekulimi apo montimi i mundshëm. Në formën si është paraqitur, nuk ka ndonjë lidhje logjike të asaj që pretendohet, por për këtë duhet të flasë sa më shpejt Prokuroria dhe ekspertiza ligjore.

Përtej kësaj, fokusimi i sulmeve nga Partia Demokratike tek Fatmir Xhafaj, duke mos mundur të gjejnë asnjë fakt nga veprimtaria e vet si ministër, tregon se vendi ka ministrin e duhur të Brendshëm.

Rasti i sulmeve ndaj Fatmir Xhafajt, në fakt duhet të shërbejë për të vendosur një standart për pasojat e zyrtarëve të lartë në pushtet apo politikë, lidhur me përgjegjësitë që ata kanë në kryerjen e detyrës në raport me rrethin e afërt familjar.

Nuk jam partizan i shkëputjes së përgjegjësisë, nëse një i afërt i yti ka përdorur pushtetin, apo pozitën tënde, për të përfituar apo kryer veprimtari të tjera të paligjshme.

Rasti më flagrant janë fëmijët e Sali Berishës. E bija e tij, përdori pozitën e babait si kryeministër dhe në një kontratë të ofruar prej saj për një biznesmen të huaj, i kërkonte tre milionë euro nëse babai kryeministër, firmoste koncesionin që kërkonte ai në Porto Romano. Është me fakte të qarta, me email-e origjinale të pranuara nga të dy palët dhe e pa ndëshkuar ende.

I biri i Sali Berishës ka përdorur pushtetin e babait të tij kryeministër, për të lobuar një kontratë biznesi që rezultoi vdekjeprurëse për 26 qytetarë. Ka prova të qarta, siç është faksi i dërguar nga zyra e ministrit të Drejtësisë, që i raporton djalit, kopjen e opinionit të Ministrisë për VKM-në që po përgatitej, janë 40 takimet e tij në muaj me Fatmir Mediun, që ishte kontraktori, dhe biseda pikëlluese me Mihal Delijorgjin, 25 minuta pas shpërthimit, është rrethi i ngushtë familjar i punësuar në atë biznes si garantë të tij etj. Historitë e tij vazhdojnë me privatizimin e OSHE, me sekserin Nue Kalaj, i cili garanton drejtorët e mëdhenj të CEZ, se nëse djali ka fol me babin kryeministër (Berishën) për hallin e tyre, dhe ata pas takimit me Berishën, do të takojnë babain. Dhe bëhet fjalë për rreht 60 milionë dëm në kurriz të shtetit shqiptar. Është prova më e qartë e dokumentuar ndonjëherë për konfliktin e interesit në shtetin shqiptar, pasi është provuar nga axhenda e Berishës, se takimi është kryer siç e përshkruan emaili dhe çmimi i energjisë ndryshoi si e deshën ata.

Kjo listë vazhdon dhe me shumë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar, të afërmit e të cilëve shfaqen shpesh si njerëz që përdorin pushtetin e njerëzve të tyre.

Pra, në këtë vend duhet vendosur një standart për konfliktin e interesit të zyrtarëve të lartë me familjarët e tyre.

Vendosja e këtij standarti deri tani është penguar me dhunë nga Sali Berisha. Ai i ka vënë zjarrin shtetit për të mos ju ndëshkuar djali, vajza dhe rrethi i tij familjar, të përfshirë në çdo aferë të ndyrë në këtë vend. E vetmja meritë e tij është se ai për herë të parë ndërtoi një pushtet të familjes së tij në Shqipëri, dhe tani mendon se çdokush në Shqipëri qeveris doemos me familjen, siç qeveriste ai. E ndjen këtë tek obsesioni qe ka për të bërë Olsi Ramën personazh në çdo ngjarje në Shqipëri, apo për të gjetur vëllezër, motra apo kushërinj pushtetarësh në çdo aferë.

Nga ky obsesion nuk shpëtoi as Fatmir Xhafaj. Por deri tani, jo vetëm që nuk kemi asnjë provë, por jemi para disa fakteve konfuze, që më shumë dëshmojnë se PD ka problem të madh Fatmir Xhafajn, se sa ndonjë problem real të Fatmir Xhafajt.

Deri më sot në detyrën e tij si ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka pasur gjithë mbështetjen e opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar, si një profesionist dhe njeri i ligjit. Ai ka rezultate të prekshme në betejën kundër trafikut të drogës dhe krimit në Shqipëri dhe është sjellë si njeri i lirë në detyrën e tij.

Ajo që ka nevojë vendi, nuk është të krijojë precedentin e dorëheqjes bazuar mbi thashetheme, por përdorimin e shtetit ligjor për të ndarë baltën nga e vërteta.

Ato që thuhen në selinë e SHQUP, duhet të mbeten në selinë e SHQUP, derisa të flasë Prokuroria. Pas saj, nëse do të vendosim një standart për këtë histori, se çfarë përgjegjësie kanë pushtetarët për motrat, vëllezërit, djemtë e vajzat e tyre, duhet ta fillojmë aty ku ka nisur. Po tek SHQUP!