Ballina Blog Faqe 1453

Maradona në botën e çudirave, dështon pa asnjë humbje si trajner

0

Diego Armando Maradona është njeri i veçantë, në çdo drejtim. Si futbollist ka qenë gjeni, si analist lëshon perla që shkojnë në kufijtë e komikes, si trajner ka dështuar kudo.

Aventura e fundit e Maradonës si trajner ka qenë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku para një viti mori drejtimin e Al Fujairah, në Emiratin e Fujairah.

Kategoria e dytë, synimi i vetëm ngjitja në Pro League dhe premtimi i Maradonës ishte: “Ky ekip do jetë projekti im prioritar. Do ta bëj një ekip tepër të vështirë për t’u mundur”.

El Pibe de Oro e arriti synimin e vet, sepse sot u mbyll kampionati dhe Al Fujairah nuk pësoi asnjë humbje në 22 javë kampionati, me 11 fitore e 11 barazime. Problemi është se ngjitja në Premier Ligë nuk erdhi dhe në mënyrë të pabesueshme ekipi i Maradonës dështoi në ndeshjen e fundit.

Në nisje Al Fujairah ishte me pikë të barabarta me Ittihad Kalba-n dhe i mjaftonte fitorja, sepse ishte superior në takimet direkte. Kalba e fitoi lehtësisht ndeshjen e vet dhe dëgjonte çfarë bëhej në Hujairah, aty ku ekipi i Maradonës kryesonte deri në minutën e 62-të, kur portieri bëri një gafë të pabesueshme dhe 1-1. Duart në kokë për Maradonën, që nuk e shijoi dot fitoren e madhe, edhe pse Khor Fakkan luajti me 10 lojtarë në 8 minutat e fundit. E pabesueshme, edhe për Maradonën, i cili pas ndeshjes dha menjëherë dorëheqjen!

Sadiku vijon të duartrokasë nga stoli, Basha fiton derbin me Alijin

0

Me siguri do të vijë edhe momenti i Armando Sadikut, por kur të mos jetë më nevoja për pikë. Sot Levante fitoi 2-1 ndaj Seviljes së Montelës, duke siguruar praktikisht mbijetesën në La Liga, sepse tashmë vetëm matematika nuk e lejon të festojë. Gjithsesi, edhe nëse Levante i humbet tre ndeshjet e mbetura, do të duhej që Deportivo La Korunja t’i fitonte 4 ndeshjet e veta me rezultate me të paktën gola diferencë për takim, diçka e pamundur.

Sadiku ishte sërish në stol, gjatë gjithë ndeshjes, duke u braktisur nga trajneri Pako Lopez, i cili me dyshen Boateng-Roxher Marti ka gjetur skemën perfekte. Tani që mbijetesa u sigurua, ndoshta do të provohet Sadiku dhe në 3 ndeshjet e mbetura do të duhet të bindë, përndryshe aventura spanjolle do të mbetet një kujtim aspak i këndshëm.

BASHA – Ndërkaq, në Serinë B italiane u luajt një derbi shqiptarësh, sepse Bari priste Entelën. Fituan puljezët 1-0, me Migjen Bashën që luajti 90 minuta dhe në fund festoi. Përballë ishte vetëm Naser Aliji, i cili mori karton të verdhë, ndërsa Llullaku qëndroi në stol, si zakonisht. Renditja sheh Barin të afrohet me vendin e dytë, ndërsa Entela është shumë pranë zonës së rënies direkte.

Debutim i bujshëm: Hajnkes i jep një shans të artë të riut shqiptar

0

Bajerni i Mynihut njihet si një klub që ka raporte shumë të këqija me të rinjtë e akademisë. Suksesi i madh i bavarezëve gjatë viteve të fundit ka ndikuar për keq tek ekipet zinxhir, pasi vit pas viti në Mynih vijnë lojtarë cilësorë, madje një pjesë e tyre nuk sigurojnë minuta e jo më të pretendosh për promovime nga talentet e akademisë.

Por së fundmi një mori faktorësh të ndryshëm kanë detyruar trajnerin e kampionëve të Gjermanisë, Jup Hajnkes të hedhë një sy nga të rinjtë e ekipeve zinxhir për ndeshjen e sotme ndaj Frankfurtit. Ndër talentet që priten të jenë në fushë për herë të parë me fanellën e Bajernit, do të jetë dhe shqiptari 19-vjeçar Meritan Shabani. Për grumbullim e mesfushorit me origjinë nga Kosova, Hajnkes tha: “Në ndeshjen e nesërme do të jetë dhe Meritan Shabani. Ai ka luajtur shumë mirë gjatë miqësoreve të janarit. Akademia e Bajernit është e mbushur me lojtarë të talentuar”.

Shabani, luan si mesfushor i avancuar dhe pritet që ta nisë si titullar takimin e sotëm ku bavarezët do të ndeshen ndaj ekipit të drejtuar nga trajneri i tyre i ardhshëm, Niko Kovaç.

Morati: “Derbi i Italisë, pa favoritë. Shpresoj tek Ikardi”

0

Pritshmëri të jashtëzakonshme për Inter-Juventus, që luhet të shtunën në mbrëmje dhe është sfida më e rëndësishme në gjithë Europën, duke parë që anembanë kampionatet e rëndësishëm kanë marrë fund, për sa i përket garës për kreun.

Interi kërkon fitoren për të qëndruar në garë për një vend në Champions, por gjithashtu kërkon të ndalë armikun historik, sepse një frenim i Juves me shumë gjasa i jep kreun dhe ndoshta edhe titullin Napolit.

Ish-presidenti zikaltër Masimo Morati ka folur në prag të Derbit të Italisë, i intervistuar nga RaiSport: “Interi dhe Juventusi janë dy skuadra që kanë motivim të jashtëzakonshëm për të bërë mirë. Skuadra e Spaletit është e detyruar të marrë rezultat pozitiv, por asnjëra palë nuk është favorite”.

Për Moratin, çelësi i ndeshje mund të jetë i zakonshmi Mauro Ikardi, i cili ka shënuar 7 gola e ka dhënë dy asiste, në 10 përballje me Juven: “Zakonisht ndaj Juves është ai njeriu vendimtar, le të shpresojmë”.

Kritiku i Bashës “shpërthen” tek portali i Zenit: E ktheu PD në monokratike, ja ç’tregojnë sondazhet për demokratët….

0

Portali i Zenit po behet “streha” e te gjithe kritikeve te liderit demokrat Lulzim Basha, te cilet kerkojne largimin e tij nga drejtimi i PD.

Këshilltari i djathtë në Bashkinë e Tiranës, njëherësh anëtar i PD-së, Fabian Topollaj, ka vijuar sulmet në drejtim të kryedemokratit Lulzim Basha.

I ftuar në studion e lajmeve të “Syri.net”, e akuzoi Lulzim Bashën, se e ka kthyer PD-në në një persi personale dhe monokratike dhe se nuk dëshiron bashkimin e demokratëve por thjeshtë forcimin e pozitave të tij në parti.

Sipas Topollajt, me lëvizjen e fundit të bërë nga Basha në statutin e partisë, sondazhet tregojnë se demokratët po largohen nga partia.

“PD-së i munguan 230 mijë votues në 25 qershorit. Një grup shumë i madh funksionarësh kanë nënshkruar disa peticione për bashkimin e demokratëve.

Sot përgjigja e vetme që është marrë nga kreu i PD janë disa ndryshe me statut që as nuk i kërkoi askush as nuk ndryshojë asgjë. Askush prej ish-funksionarëve nuk është i bindur që kjo është prova e bashkimit. Demokratët nuk mendojnë se kjo është forma për ringritjen e PD-së. Sondazhet tregojnë se demokratët nuk po shtohen por po largohen.

Nëse Lulzim Basha do ta kishte seriozisht atë që na paraqiti si mjetin për bashkim që janë ndryshimet në statut, do të na ofronte parimin që kryetari është në funksion të partisë dhe kjo partia në favor të kryetarit.

Minimalisht ai duhet të kishte vënë në statut që kryetari jep dorëheqjen kur humb zgjedhjen. Basha thjesht po këmbëngul forcimin e pozitave të tij në PD.

E ka kthyer PD-në në pari monokratike, nuk është më parti e njerëzve, por parti që kërkon ti japë pushtet vetëm një njeriu.

Sot nuk jemi në kushte normale, sepse kryetari nuk është në funksion të partisë, por partia në funksion të kryetarit”, – deklaroi Topollaj.

FOTOT: Puthje dhe shtrëngim duarsh, Trump “zbutet” me Angela Merkel

0

E zbuti Merkel presidentin Trump?

Urime, puthje dhe shtrëngim duarsh në Shtëpinë e Bardhë.

Donald Trump megjithë diferencat në qëndrime me kancelaren, u tregua mjaft i përzemërt.

“Ajo është një grua e jashtëzakonshme“, tha Trump.

LETRA/ PD dhe Lulzim Basha asnjë urim, Majlinda Bregu përgëzohet nga Partitë Popullore dhe Joseph Daul

0

Majlinda Bregu nuk ka marrë asnjë urim zyrtar nga partia e saj, për postin e rëndësishëm në të cilin u zgjodh.

Por, atë që nuk e ka bërë Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, e ka bërë Joseph Daul.

Ky i fundit i ka dërguar një letër urimi Bregut, në emër të Partive Popullore Europiane, në të cilën bën pjesë edhe Partia Demokratike.

Kuptohet, PD nuk i është bashkuar urimit të Partive Popullore Europiane.(TemA)

Speciale: Dështimi i gjykatave me gjakmarrjen, 4 mijë të vrarë pas vendimeve

0

Më 10 shkurt 2016 u vra për gjakmarrje, pak ditë pas kthimit nga Anglia, Xhevahir Brasha, emigrant nga rrethi i Hasit. Vrasësit kishin marrë informacion në një kohë shumë të shkurtër që ai ishte kthyer në Shqipëri. Në vitin 2017 u vranë për hakmarrje dy ish drejtues të policisë së shtetit, Artan Cuku dhe Ervin Dalipaj. Në fillim të prillit të këtij viti, u ekzekutua po ashtu për gjakmarrje në Tiranë, 28-vjeçari Mario Majollari. Majollari, kishte kërkuar azil në Suedi, për t’u mbrojtur nga një gjakmarrje e mundshme, por kërkesa i ishte refuzuar dhe ai u kthye në Shqipëri, ku dhe u ekzekutua.

Vihet re se numri i vrasjeve të ndodhura për gjakmarrje në mesin e emigrantëve të kthyer në Shqipëri nuk është i paktë dhe jo pak herë, jetët e tyre mund të ishin shpëtuar nëse do t’u ishte dhënë e drejta për azil. Këtë gjë e pohon për TemA TV edhe kreu i Komitetit të Pajtimit Kombëtar, Gjin Marku, i cili flet për rastin Majollari dhe raste të tjera të ngjashme.

Sipas Markut, shteti është përgjegjës për këto konflikte dhe ka ndikuar negativisht, duke synuar që të fshehë në disa raste fenomenin e gjakmarrjes në sytë e Europës.

Një mendim të ngjashëm përsa i përket rolit të shtetit ndan edhe studiuesi Nebi Bardhoshi.

Ai thekson se roli i shtetit duket se ka ndryshuar në këtë kuptim pas viteve ’90-të dhe bën një analizë të fenomenit të gjakmarrjes që nga koha e Kanunit.

Ndërkohë sot, sipas Bardhoshit, duket se shteti nuk po luan rolin që i takon dhe ndërsa argumenton këtë bindje, ai hedh poshtë edhe një mit, se gjakmarrja, përgjithësisht lidhet me zonat e veriut të Shqipërisë.

Sipas tij, gjakmarrja duhet të quhet një vepër penale që kërcënon autoritetin e shtetit.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komitetit të Pajtimit Kombëtar jep disa të dhëna më tepër se shqetësuese përsa i përket efektshmërisë së shtetit dhe gjykatave përsa i përket gjakmarrjes. Sipas tij, shteti dhe gjykatat kanë dështuar në zgjidhjen e konflikteve të gjakmarrjes. Sipas tij, pleqësitë ose gjykatat kanunore kanë qenë më efektive dhe në shumicën e rasteve, drejtësia e dhënë nga gjykatat nuk i ka dhënë fund konfliktit mes palëve, i cili madje edhe është thelluar.

Sandër Franpisha është një i ri 29 vjeçar, i cili thuajse gjithë jetën e tij ka jetuar me frikën e gjakmarrjes, për shkak të një konflikti të hershëm, ku familja e tij në Theth të Shkodrës është përfshirë që në vitin ’90-të. Ndërkohë që prindërit dhe vëllai i tij janë larguar drejt një prej vendeve të BE-së për t’u mbrojtur nga gjakmarrja, edhe ai sheh largimin përmes azilit si të vetmin shpëtim për jetën.

Megjithëse, sipas të dhënave nga Pajtimit Mbarëkombëtar është bërë e mundur ulja me 50 përqind e numrit të vrasjeve, përsëri mbeten të pazgjidhura mijëra konflikte, të cilat nëse nuk mbyllen me pajtim, shkojnë drejt hasmërive e vrasjeve.

Marku vëren se politika duhet të bëjë një punë për të mbrojtur emigracionin, duke zbutur kështu jo vetëm varfërinë, por edhe duke ndikuar pozitivisht në luftën kundër gjakmarrjes.

Ai vëren se konfliktet për pronat janë ndër kryesorët që çojnë jo rrallë herë në gjakmarrje.

Ai thotë se gjeografia e konflikteve shtrihet në të gjithë Shqipërinë, me shpeshtësi më të madhe në zonat ku ka më tepër popullsi, si Tirana apo Durrësi dhe jo vetëm në zonat e veriut të vendit, si dhe në zona ku ka degjenerim të kanunit.

Studiuesi Nebi Bardhoshi nga ana e tij pohon se shoqëria shqiptare po jeton një nga periudhat më depressive dhe se gjakmarrja ka rolin e vet në këtë situatë, ku duhet të flasim dhe të reflektojmë për mënyrën e të jetuarit bashkë në shoqëri.

Për të përfunduar, gjakmarrja vazhdon të mbetet ende një plagë e hapur në shoqërinë shqiptare, për të cilën shteti duhet të përkujdeset siç duhet. Më problematike sipas raportit të bërë publik nga Komiteti i Pajtimit Kombëtar mbeten 7560 konflikte për shkak të plagosjeve, 9701 konflilte për çështje nderi, 6789 konflikte për shkak të dhunës brenda familjes, 3400 konflikte për prishjen e fejesave me shkuesi, 34800 konflikte për pronën në qytet, 98700 konflikte për tokat në fshat, 33568 konflikte për fyerje të personit, 41890 konflikte për borxhe të pakthyera, 5260 konflikte për trafik femrash, 980 konflikte brenda familjes për shkak të shfaqjes së prirjeve homoseksuale, 15600 konflikte për tradhëti bashkëshortore, 13789 konflikte për lidhje të fshehta dashurie dhe 61567 konflikte për shkak të divorcit.(TemA TV)

Moti, përgatituni për një fundjavë përvëluese

0

Prej ditësh Shqipëria është “pushtuar” nga temperatura të pazakonta për stinën, ndërsa pritet që në fundjavë të shkojnë deri në 30 gradë celcius.

Edhe pjesa më e madhe e Evropës po përjeton temperatura të larta deri në fund të muajit prill, kur në rajonin e Ballkanit temperaturat do të jenë 33 gradë celsius.

Meteoalb bën me dije se gjatë fundjavës zonat veriore të vendit do të kenë reshje shiu.

E premtja dhe fundjava do dominohen nga kthjellime dhe vranësira të shpeshta duke sjellë edhe shira të përkohshëm.

Të premten shirat priten në zonat malore por gjatë natës edhe në Perëndim. Të shtunën pasdite priten shira në zonat Veriore dhe Lindore ndërsa e diela sjell shira të përkohshëm në zonat veriore të vendit.

Temperaturat e ajrit rriten me 2°C të premte; po ashtu rritje sjell edhe e shtuna ndërsa dita e diel do të ruajë vlera termike thuajse konstante (MIN/MAX: nga 9 në 32°C).

Spitali i rrënuar i Përrenjasit, me aparatura që kanë dalë në “pension”

0

Fiks Fare vijoi denoncimin e mungesës së mjekëve dhe kushteve në spitalet rajonale dhe bashkiake në rrethe. Për pasojë, mijëra pacientë udhëtojnë çdo ditë në spitalet në Tiranë, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Në Spitalin “Nënë Tereza” ka pacientë pothuajse nga e gjithë Shqipëria; Saranda, Fieri, Peshkopia, Kukësi, Tropoja, Korça, Lushnja, etj, etj. Disa prej tyre thanë se ndihen të detyruar që të vijnë në kryeqytet, pasi në spitalet afër vendeve ku jetojnë nuk ka kushte dhe mjekë specialistë. Një pacient nga Fieri tha se është detyruar që të shpërngulet në Tiranë, vetëm për arsye shëndetësore. Një pacient nga Gramshi thotë se ka ardhur para 1 muaji në Tiranë, ka prenotuar vizitën dhe kërkon që të marrë kurim. Ndërkohë, një pacient nga Dibra tregon se në Spitalin e Peshkopisë nuk ka mjekë specialistë, ndërsa edhe kushtet nuk janë të përshtatshme. Ai është detyruar që të udhëtojë shpeshherë drejt Tiranës për të marrë kurimet.

Spitali i rrënuar i Përrenjasit

Pas këtyre denoncimeve, Fiksi udhëtoi drejt Spitalit Bashkiak të Përrenjasit. Në këtë spital, kishte aparatura që kishin “dalë” në pension. Aparatura që bënte grafi ishte e vitit 1953, pra plot 65 vjeçare. Spitali, megjithëse tre katësh, ishte i rrënuar. Funksionin vetëm dy kate, ndërsa kati i tretë ishte jashtë funksioni. Për 50 mijë banorë, por edhe për udhëtarët e aksit Librazhd-Pogradec, kishte një urgjencë vetëm me dy dhoma.
Sami Agolli, shefi i shërbimit të Spitalit të Përrenjasit, thotë se spitali u vjen në ndihmë 4 njësive administrative. “Në spitalin tonë vijnë të sëmurë edhe nga zona e Mokrrës, që janë 10 mijë banorë. Në total janë 50 mijë banorë. Që nga ndërtimi, në spital janë bërë investime jo kapitale. Janë bërë investime vetëm për tarracën. Ngrohja bëhet me fërnella elektrike. Pjesa problematike është urgjenca e spitalit, ka vetëm dy dhoma. Ne jemi rrugë nacionale, aks i vështirë, ka mjaft aksidente. Kemi kapacitet prej 7-8 mijë të sëmurësh. Spitali ka vetëm dy mjekë. Unë, dhe një mjek patolog. Kemi 19 infermiere, 3 laborante, 3 shoferë. Kemi dy ambulanca dhe janë 6 punonjës jo mjekësorë, sanitarë dhe kuzhinierë” thotë ai.

Më tej shton se shërbimi laboratorik, qoftë ai biokimik dhe ai angent, janë shërbime të vjetra dhe nuk janë shërbime të thjeshta. Sipas tij, në spital nuk bëhen dot analiza. “Aparati angen (grafisë) është i vjetur, i viti 1953, kemi marrë premtime dhe do bëhet diçka” thotë Agolli. Nisur dhe nga viti i prodhimit, rezulton se aparatura ka dalë madje në pension. Shefi i Shërbimit, nga ana e tij, ngre duart lart; Po ç’të them!
Ndërkohë, korridoret e spitalit nuk kanë llamba, instalimet elektrike janë të vjetra, ndërsa dyshemeja e shtruar me pllaka para 50 vitesh.

Fiksi shkoi për të parë aparaturën që kishte dalë në pension. Specialisti tha se kabineti i radiologjisë është shumë i vjetër dhe në të bëhen vetëm grafitë e kockave, grafitë e tjera është shumë e vështirë. “Pulmonet kanë një defekt është e vështirë të realizohet. Skopia nuk funksionon. S’ka pasur asnjëherë këtu. Ne mbulojmë kryesisht aksidentet. Aktualisht këtu bëhen 7 ose 8 grafi në ditë. Pacientët largohen kur shikojnë dhe kushtet. Kabineti ku lahen filmat e grafive është i vjetër. Ne përpiqemi të nxjerrim diçka” thotë specialist.

Fiksi shkoi të filmojë dhe kabinetin ku lahen filmat, por drejtori nuk pranoi. “Mbylle mos merr. Fike dritën, ç’të shpjegojë… S’ke çfarë u shpjegon atyre” thotë ai.

Stafet e spitaleve të rretheve

Fiksi pyeti në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku specialisti Andrea Çobi, tha se spitali ka 276 punonjës, 33 mjekë. Sipas tij, mungojnë 6 specialitete; ortoped, anestezist, arlegolog, një imazherie dhe pneumolog. Sipas tij, janë 53 punonjës në shërbimin mbështetës dhe sanitare, ndërsa janë edhe 115 infermierë.

Ndërkohë, në Sarandë, drejtoresha e spitalit thotë se janë
197 punonjës, nga këta 30 mjekë, 97 infermierë. Sektori ekonomik, ku përfshihen edhe sektori mbështetës e sanitarët, janë 93 punonjës. Mungojnë reanimatorë, laborant, patologjia, kardiologjia. Në këtë spital punojnë 4 mjekë që kanë dalë në pension. Në Spitalin e Tepelenës janë rreth 90 punonjës, janë 16 mjekë. Mungojnë mjek kirurg, reanimator, shërbimet e të cilëve i mbulon Spitali Rajonal Gjirokastër.

Ndërkohë, Nevjana Buzani, përgjegjësja e burimeve njerëzore në Spitalin e Elbasanit, thotë se janë 599 punonjës, janë 100 mjekë, 320 infermierë. Sipas saj, shërbimi sanitar ka 68 persona dhe janë 3 mirëmbajtës së ambientit të jashtëm. Pjesa e mbetur e stafit, prej 108 personash janë administratë.

Ironia e Ibrahimovic: Suedia është favorite për të fituar Kupën e Botës!

0

“Mendoj se Suedia është favorite për të fituar Kupën e Botës, duke qenë se tani janë më të fortë pa mua!”

Zlatan Ibrahimovic, në një intervistë për “ESPN” ka replikuar duke përdorur armën e ironisë, pasi Federata Suedeze e Futbollit i ka dhënë fund hipotezave, duke ia mbyllur përfundimisht derën për kampionatin botëror në Rusi.

“Nuk jam më pjesë e kombëtares sepse isha unë që thashë “mjaft” dhe tani nuk ia vlen të diskutohet më kjo temë.

Eshtë një kapitull i mbyllur,” – tha 36-vjeçari sulmues i Los Angeles Galaxy, që do të jetë gjithsesi në Rusi, por për impenjime komerciale.

INTERVISTA/ Blendi Fevziu: Më kanë propozuar të bëhem ministër, por refuzova. Më mbeti fiksim që s’intervistova Theçerin, vdiq kur isha student

0

Blendi Fevziu ka dhënë një intervistë për revistën Class.

Mes të tjerave ai thotë edhe se i kanë kërkuar të bëhet ministër, por ka refuzuar.

Cilat janë emisionet më kulmore, nëse mund t’i kujtoni pas kaq vitesh? Opinioni që nuk do ta harroni kurrë?

Debati Nano- Berisha në 31 Janar 2002. Ishte takimi i parë i tyre pas më shumë se 11 vitesh që nuk ishin takuar dhe i pari e i fundit format i këtij debati në TV. Përtej kësaj ishte edhe një ngjarje mediatike. U transmetua live në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe nga thuajse gjithë televizionet shqiptare. Vështirë që dikush që ishte para TV të mos e kishte telekomandën tek ai debat.

Ka pasur personazhe që nuk i janë përgjigjur ftesës suaj për në emision? Cilët?

Ndër personazhet e rëndësishëm ka qenë vetëm njëri, Ibrahim Rugova. U takuam disa herë dhe po ashtu folëm, por ai hezitoi. Kjo ishte pas ngjarjeve të 1999 dhe kam përshtypjen që ai nuk donte të fliste për takimin e tij me Millosheviçin në prill 1999.

I keni ftuar më?

Rugovën e pata ftuar disa herë. Në Janar 2006 ai u nda nga kjo jetë dhe mbeti pa e dhënë intervistën. Ndërkohë të tjerë nuk është që më kujtohen, por me siguri ka pasur.

Cilët janë të ftuarit që ju kanë bërë më shumë përshtypje, ndoshta kjo në fillimet e programit, por ndoshta edhe ata që gjithmonë kanë një lloj ndikimi e aureole tëveçantë?

Janë shumë prej atyre të parëve, por edhe më vonë. Kjo është edhe pak personale. Disa prej tyre ishin personazhe epikë, që kishin kaluar nëpër kohë, ngjarje dhe zhvillime tejet të rëndësishme. Ishin njerëz që kishin lënë gjurmë të forta në histori, me gjeste apo vendime shumë të vështira. Por ata që mbaj mend me shumë nostalgji janë Mbretëresha Geraldinë e Shqipërisë dhe Jusuf Vrioni. Bashkë me ta, Kadare është një personazh mahnitës. Por mos harroni, ka pasur personazhe që kanë qenë në konflikte me njëri tjetrin, që janë luftuar, si Ramiz Alia e Abaz Ermenji. Apo edhe të tjerë. Në fund të jetës, kjo luftë ishte bjerrur dhe ata nuk kishin asnjë shans tjetër veçse të rrëfeheshin. Është pak a shumë ai rrëfimi i fundit i jetës, ku ti pyet veten: Çfarë kam bërë mirë dhe gabim në këtë botë. Edhe pse nuk e korrigjon dot më…

Cili është personazhi që keni ftuar më shpesh?

Nuk di ta them. Sepse varet në debate apo intervista. Po janë thuajse të njëjtët: Lubonja, berisha, Kadare, Rama, Nano…

Cilët nga personazhet e huaja do kishit dashur të intervistonit?

Gorbaçovin dhe Margaret Theçerin. Edhe pse ai iku nga kjo botë kur unë isha student, padyshim edhe Graham Grimin.

A ju kanë kërcënuar ndonjëherë për temat delikate që janë trajtuar në emisionin tuaj?

Jo, thuajse kurrë. Mua personalisht jo.

Cili është ryshfeti më i madh që ju kanë ofruar ndonjëherë (nëse jua kanë ofruar) për të mos trajtuar një temë në emisionin tuaj?

As kjo s’ka ndodhur kurrë. Ka pasur tentativa për të shmangur ndonjë temë “miqësisht” por kanë qenë thjesht sugjerime. Asgjë më shumë.

Ndonjëherë duket sikur nuk e keni mendjen fare në program, sikur lexoni mesazhe, ndërkohë që të ftuarit grinden. Vetëm duket apo kështu është?

Jo nuk është kështu. Zakonisht shoh mesazhet që më dërgon stafi ose persona që po ndjekin emisionin. Jam shujmë i vëmendshëm në ato që thonë më beso…

Shpesh ka ndodhur që kur keni pasur të ftuar në studio Kryeministrin Rama, në Top Story ishte kreu i PD-së, Basha, ose kur ju keni pasur Presidentin Meta, atje ka qenë i ftuar zoti Rama, pra ndodh përplasja mes audiencave. Është thjesht rastësi, apo ju informoheni më parë për të ftuarit e “konkurrentit” (nëse mund ta quajmë kështu), Sokol Balla?

Zakonisht për personazhe të tillë ka spote paralajmëruese. Por njëkohësisht ne i dimë axhendat e lëvizjes së tyre si pasojë e kontaktit me stafet mediatike që ata kanë. Në këtë rast ti mendon të gjesh personin ose temën më adapte për ta ndarë audiencën.

Ka pasur raste që ju kanë kritikuar si të njëanshëm gjatë intervistave, se tregoheni shumë të ashpër me përfaqësues të PS-së dhe shumë të butë me të PD-së. Ju si do u përgjigjeshit?

Varet nga kush vjen kritika. Zakonisht këtë e thonë ata që janë afër PS. Po të dëgjosh ata që janë afër PD thonë krejt të kundërtën. Kjo është pak a shumë si ajo se çfarë muzikë dëgjon. Dhe muzikën që dëgjon ti beson se e dëgjojnë të gjithë. Por, nuk është kështu.

Cili ka qenë ai që ju mund ta konsideroni si skandalin më të madh në Opinion? Po sherri më i pamenaxhueshëm?

O ka pasur shumë. Por më i keqi është ai që më ka pasur mua si protagonist, jo ndonjë të ftuar. Sherri i Majit 2013 me Artan Lamen, kur unë i bërtisja ‘Pusho’. Kështu që s’ka nevojë të ngarkoj me përgjegjësi të ftuarit. E marrë vetë këtë përgjegjësi.

Ua jepni të ftuarve përpara intervistës pyetjet?

Në vitet 1997 – 1999 po. Ruaja vetëm 3 – 4 pyetje më surprizë që ata nuk i dinin. Pas kësaj kohe jo më. Ju jap temat ku do mbështetemi po jo pyetjet. Por duhet të dini një gjë. Shumë prej pyetjeve dalin nga përgjigjet e të ftuarve. Unë bëj gati për një intervistë midis 20 dhe 25 pyetje. Në fund, kur kontrolloj të nesërmen intervistën janë diku midis 100 dhe 110 pyetjeve. Pra më shumë se 80 përqind del gjatë intervistës.

A ka personazhe që nuk vijnë në studio nëse nuk i dinë pyetjet?

Të gjithë!

A i kontrolloni mediat se çfarë shkruajnë për ju si Blendi Fevziu, por edhe për lajmet që mund të dalin nga emisioni juaj?

Asnjëherë. Ato të lajmeve i kontrollon stafi. Por zakonisht e dimë, sepse lajmet që dalin nga ne edhe të tjerët i marrin nga Opinion.al.

Po komentet në rrjetet sociale?

Asnjëherë. Më duket humbje kohe. Plus mua s’më ngjallin asnjë emocion komentet on line. Me apo pa emër. Zakonisht mërzitem kur 5 – 6 persona që i vlerësoj më thonë që diçka ka shkuar keq ose jo mirë.

Cili ka qenë lajmi më i keq që keni lexuar për veten tuaj, nëse ka pasur? Po më i miri?

Ka pasur plot marrëzira, por s’është se më kujtohet gjë tani. As për mirë as për keq. Zakonisht edhe nuk i fiksoj.

Ç’lidhje keni me median online? Përse vendosët për të krijuar opinion.al?

Media on line është e ardhmja e lajmit. Veç kësaj, ne e shihnim që lajmet për emisionin hallakateshin shumë. Duke i nxjerrë në Opinion.al, në një farë më mënyre në kanalizojmë në mediat e tjera dhe portalet atë që besojmë ne se është më e rëndësishme dhe jo detajet…

Sa kontribuoni vetë aty me informacione të ndryshme, sidomos nga politika duke qenë se keni shumë njohje?

Varet nga koha. Këto kohë jam duke shkruajtur një libër dhe kohën e lirë ma merr ai. Nuk kam mundësi të shkruaj në Portal.

Ju pranuat para pak kohësh që ju kishin bërë oferta të majme për të ndryshuar televizion. Nuk pranuat sepse oferta ishte e shëmtuar, apo sepse nuk rrini në Klan për rrogën?

Unë kam pasur oferta që vitin e parë që jam vendosur në Klan, në tetor 1998. Nuk kam ikur kurrë sepse mendoj që njeriu lidhet me një vend pune dhe krijon një imazh të tijin të lidhur edhe me siglën e TV. Ndërkohë nuk paragjykoj askënd nga ata që lëvizin nga një Tv në tjetrin për të gjetur hapësirën e tyre të lirisë dhe komoditetin profesional. Unë besoj se i kam pasur këto në Klan. E kam thënë edhe një herë. Lidhja ime me Klanin ka qenë më shumë emocionale. Kur ky emocion të rreshtë, kurdo që kjo të ndodhë, nuk do të jem më aty…

Për çfarë do ta linit Tv Klan? Po Opinionin?

Nuk di ta them këtë, por nuk ndihem i tunduar për të lënë asnjë nga të dyja…

Kemi parë shumë tituj sesa paguhet Fevziu, por asnjëherë në përmbajtje nuk është treguar shifra. Do ta marrim vesh ndonjëherë rrogën tuaj?

Shumë e komplikuar. Nuk besoj se do ta merrni vesh dhe komentet vetë janë absurde. Po unë as vetë nuk e di sa paguhen të tjerët. Nuk kam pyetur kurrë, kështu që s’di të bëj as krahasime…

A jeni në këtë moment të jetës profesionalisht i përmbushur apo ka akoma një objektiv të madh që doni ta realizoni?

Atë moment që njeriu përmbushet jeta e tij profesinale kthehet në rutinë. Për mua nuk është kthyer ende, madje fare. Çohem në mëngjes me kënaqësinë që do bëj punën që do të doja të bëja…

Çfarë keni menduar për të ardhmen e këtij programi?

Update me ritmin dhe kërkesën e kohës. Kjo është e gjitha…

Mendoni ndonjëherë që Opinion po ju mban peng karrierën?

Varet për kë karrierë flisni. Nëse flisni për karrierë politike, kam refuzuar që shumë herët të jem deputet, ministër apo edhe pak më shumë. Më është dukur humbje kohe dhe padyshim më pak e rëndësishme se sa të drejtosh një emision influent për natë në Tv.

Në festën që organizuat për Opinion, kush nuk erdhi, por pati dhe nga ata që e kritikuan, si zakonisht. Mendoni tani që ndoshta vërtet u bë shumë e madhe, apo ky ishte qëllimi?

Në fakt u bë e madhe apo jo se kam menduar. Unë kisha një skenar në kokë që për hir të së vërtetës shkoi siç e kisha menduar. Dhe kjo më bëri të ndihem mirë. Qëllimi i vetëm ishte të beja një paradë të 20 viteve dhe personazheve, përmes një forme që nuk kishte qenë prezente në Shqipëri. Për këtë zgjodhëm transmetimin për 20 orë, nga të cilat më shumë se 12 live…

Ndonjë peng i madh nga këto 20 vite për diçka që nuk e keni bërë apo nuk e keni bërë si duhet?

Që të jem i sinqertë nuk kam ndonjë peng. Ndoshta mund të kisha qenë më prezent në luftën e Kosovës më 1999. Ky ka qenë një moment i gabuar i imi. Sepse isha edhe në Klan edhe në TVSH.

E keni arritur atë pikë të jetës që nuk punoni për para, por për kënaqësi?

Asnjëherë nuk ka një pikë të tillë. Më besoni.

Çfarë raporti keni me kritikat në përgjithësi që vijnë nga njerëzit e medias për ju, për një si lloj vaniteti, apo supermacie të perceptuar?

S’i kisha dëgjuar fare këto gjera. Sa për vanitetin varet ku e shohin. Unë ndihem shumë sportiv dhe shumë energjik. Sportiviteti zakonisht ska lidhje me vanitetin.

Kush është kritikuesi juaj më i madh?

Miqtë e afërt. Ata mundohen të më vënë më shumë më pah gjërat që nuk ecin.

A shihni televizion, çfarë programesh?

Po shoh. Po kryesisht lajmet dhe programet informative. Zakonisht djek BBC dhe CNN. Kanë programe fenomenale.

Cilat janë programet më të mira në televizionet shqiptare?

Ka shumë. S’po hyj në emra konkretë.

Cilin gazetar në Shqipëri e shihni si konkurrentin tuaj më të fortë?

Të gjithë padyshim. Nëse beson se dikush është më pak i aftë dhe më i parrezikshëm për ty, dije që atë moment ke dështuar dhe ka nisur rënia jote.

Kur e keni ndier për herë të parë që ishit bërë i njohur?

Varet nga lloji i njohjes dhe ambienti. Në gjimnaz isha i njohur se isha shumë i shoqërueshëm dhe lëvizja shumë. Në fakultet isha i njohur sepse isha një prej atyre që botonin shumë shpesh në gazetën Studenti. Po bëhet fjalë për njohje brenda gjimnazit dhe universitetit. Në Dhjetor 1990 – Shkurt 1991 u bëra i njohur nga lëvizja studentore dhe gazeta RD. Më pas kam qenë i njohur si gazetar politik. Nga 1997 në Tv filloi një tjetër dimension njohjeje.

Ku e keni përdorur emrin për të zgjidhur situata të caktuara?Ikeni zgjidhur?

Se besoj! Nuk është se kam pasur situata kaq të vështira.

Çfarë do të thotë për ju “fama”?

Kjo çështja e famës është pak komike në një vend të vogël si Shqipëria. Në një vend ku kudo që shkon të del përpara o një kushëri, i një shok shkolle, o një komshi i hershëm apo ndonjë tjetër i njohur. Fama, nëse mund ta përdor këtë fjalë, ka sens në vende me hapësira të mëdha, ku atë që e sheh në tv, stë bie rradha ta shohësh kurrë përballë në jetë, por në një vend të vogël si yni, është një fjalë që tingëllon pak komike.

Cilët janë miqtë tuaj më të ngushtë? Ka nga ata që i keni njohur në Opinion?

Shumica mbeten ata që kanë qenë gjithnjë, prej viteve të studimeve, kur nuk kishte as karrierë dhe as ëndërra të ngjashme me këto të sotmet. Dhe kur miqësia nuk ka asnjë llogari brenda, por është thjeshtë kënaqësi e miqësisë. Unë kam qenë në një klase me Ben Blushin dhe Andi Bushatin. Që prej asaj kohe këta vijojnë të mbeten miq të afërt. Ndër miqtë e afërt padyshim hyjnë edhe Aleksandër Frangaj e Armand Shkullaku. Por në 15 vitet e fundit ka edhe miq të tjerë që nuk i takojnë gazetarisë, por kanë fusha të tjera ku janë të impenjuar.

Jeni zhgënjyer ndonjëherë prej tyre në një çast që nuk e keni pritur?

Prej atyre që i konsideroj miq, jo!

Si jeni njohur me bashkëshorten?

E kam njohur nga miq të përbashkët në atë që njihej si Bordura e Hotel Dajtit kur ajo ishte 15 vjeç dhe unë student i vitit të parë. Më bënë shumë përshtypje sytë. Që nga ajo kohë e humba dhe e ritakova pas më shumë se 11 vitesh. Sërish rastësisht.

Cili është profesioni i saj?

Ekonomiste.

Inesi është shumë e tërhequr nga jeta publike. Krijon një farë problemi që keni dy stile krejt të ndryshme jete?

Besoj se kjo ka qenë mënyra më e mirë se si ka funksionuar kjo marrëdhënie. Vetëm si e tillë mund të funksiononte.

Cilat janë të përbashkëtat tuaja, duke qenë se dëshira për të qenë personazh publik, sigurisht që nuk bën pjesë te to?

Protagonizmi publik nuk mund të jetë dëshirë e përbashkët, ai është një lloj ekzibicioni. Kur dy njerëz rrinë bashkë ndajnë shumë gjëra midis tyre. Dhe fakti që ndan të bën të jetosh bashkë. Por ndarja nuk është me fusha, nga më pak apo më shumë, ndan gjithçka.

Jua ka kërkuar ndonjëherë Inesi të hiqni dorë nga kjo punë? Nëse po, në ç’situatë?

Jo, kurrë. Madje nuk ka ndërhyrë asnjëherë në punën time.

Çfarë keni ndier kur kanë lindur vajzat?

Të njëjtën ndjesi që ndjen çdo qënie njerzore kur bëhet prind. Dhe për mua kjo është ndjenja më e thellë dhe e pandryshueshme që nga lindja e njerëzimit.

Jeni përlotur ndonjëherë, për çfarë?

Po, shumë herë. Kur dëgjoj histori dhe fate njerëzore prekëse. Së fundmi më ndodhi ndërsa shihja filmin “First they killed my fathter”.

Për çfarë do të studiojë Mishel? Ku?

Ende nuk e ka zgjedhur pasonin e saj dhe as vendin. Besoj se do të shkojë diku jashtë, por ende nuk ka një ide të qartë.

E keni pyetur ndonjëherë nëse ka të dashur? Ju flet ajo për djemtë? Ju si ndiheni?

Unë do ndihesha fare normal, si një gjë a zakonshme, por me mua nuk ka folur deri më sot për këtë gjë.

I jepni këshilla?

Pothuaje asnjëherë. Nuk është se më ka kërkuar.

Si i keni zgjedhur emrat e vajzave?

Të dy Inesi. Por unë kam qenë dakort që momentin e parë që i kam dëgjuar. Mishel vinte nga kënga e Bitëllsave që më magjepste në fëmijëri. Alis e ka emrin shumë të ngjashëm me gjyshen time.

Kujt i ngjajnë më shumë ato, juve apo bashkëshortes?

Besoj se ngjajnë më shumë nga unë.

Vajzat kanë një diferencë të konsiderueshme me njëra-tjetrën. Keni pasur një periudhë kur keni menduar të kishit një fëmijë dhe më pas ndërruat mendje?

Jo, s’kam ndërruar kurrë mendje. Kam dashur gjithnjë të kem shumë fëmijë dhe një shtëpi e mbushur me zërat e tyre më duket dhurata më e bukur e zotit. Është një shtëpi e bekuar.

Si është të jesh vetëm baba vajzash? Keni menduar të jeni, ndoshta, edhe baba i një djali?

Për mua ka qenë gjithnjë ok kjo gjë. Madje kur mësova që fëmija i dytë do të ishte vajzë u gëzova akoma më shumë.

Cila ka qenë puna juaj e parë si gazetar? Po shefi i parë?

Besoj se puna e parë ka qenë kur nisa të punoja si redaktor vullnetar në gazetën Studenti në vitin 1989. Ishte shumë eksituese dhe më magjepste ajo punë që sot do të më dukej rutinë. Ishte Arben Muka që më mori atëherë në këtë punë. Ndërkohë puna e parë në një media kombëtare ishte ajo në themelimin e gazetës RD, gazeta e parë e shtypit të lirë, në 5 Janar 1991. Aty më ftoi Preç Zogaj.

Përse vendosët të shkruani libra?

Dëshirën për të shkruajtur libra e kam pasur shumë më parë se sa të merresha me gazetari. Ka qenë dashuria ime e parë. Ndaj besoj se aty jam në botën time.

Librat tuaj janë, në një mënyrë, edhe përgjigje ndaj thirrjes që dikur ju çoi të studionit letërsi apo shprehje e ambicies për ta shkruar emrin gjithandej?

S’ka asnjë lidhje me dëshirën për të shkruajtur emrin. Sot emri shkruhet me gjëra më pak impenjative. Janë një dimension i imi, pa të cilin nuk do isha i tillë profesionalisht.

Sa jeni ndihmuar në realizimin e tyre?

Po aq sa mund të ndihmohesh në shkrimin e një libri.

Keni ndonjë libër tjetër në dorë?

Po, besoj se në Shkurt, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, do të kem gati një libër për Luftën e Kosovës Mars – Qershor 1999 dhe rolin e Hashim Thaçit. Besoj se do jetë një libër mjaft interesant.

Po letërsi artistike mendoni të shkruani ndonjëherë?

Unë kam shkruajtur letërsi arstistike. Libri “100 ushtarë” (Në bashkëautorësi me Ben Blushin, libri “Gjysma tjetër e botës”, Libri “Hiri i Vullkanit” dhe “Pushteti” janë letërsi e mirëfilltë.

Çfarë lexoni? Si, kur?

Së fundmi gjithnjë e më shumë libra historikë, politikë, ose të zhvillimeve shoqërore. Gjithnjë e më pak letërsi. Për fat të keq. Lexoj kurdo dhe kudo që mundem, në avion, në aeroport, në shtëpi. Po oraret më të rëndësishme të leximit janë pas mbarimit të emisionit. Nga mesanata deri rreth orës 02:00 të mëngjesit.

Ka ndonjë personazh libri tek i cili e gjeni veten më shumë?

Ka personazhe të librave që kanë frymëzuar fantazinë dhe kanë ngacmuar gjendjen time emocionale. Shumë. Që fëmijë kur kam lëxuar “Përrallat e moçme shqiptare” e deri tek personazhet më modernë. Padyshim.

Keni një pasion që nuk e njohim, veç gazetarisë, librave, udhëtimeve dhe veshjes?

Besoj se veç gazetarisë, librave dhe udhëtimeve, kam edhe një pasion për mekanizmat e sofistikuar të orave të dorës. Thjeshtë një lloj kënaqësie.

Cila është marka dhe stilisti që i shkon më shumë stilit tuaj?

Ka shumë. Varet nga materiali, kombinimi, stili i momentit dhe eventi.

Po vera, një tjetër pasion për të cilin keni folur edhe në programin tuaj disa herë, çfarë ju lidh me të?

Zakonisht alkooli nuk hyn në preferencat e mia, duke përjashtuar verën. Që kur e kam provuar për herë të parë më la një shije kënaqësie që nuk e kisha gjetur, madje e kisha refuzuar tek birra, rakia apo pijet e tjera të forta. Thjeshtë ndjesia ime.

Cila është vera më e vjetër që ruani dhe ç’kujtim ju lidh me të?

Kam dhuratë një shishe verë të vitit 1968 që është më e vjetra në kantinën time. Por nuk është se unë jam koleksionist verërash, thjeshtë, tentoj të gjej prodhim të mirë, dhe të jetë sipas shijeve të mia. Shijet e verës janë po ashtu mjaft personale.

Po pjata e preferuar cila është?

Ushqimi im i preferuar mbetet byreku. Po ai tradicional, me petët e hapura vetë dhe i pjekur në furrë.

Ju gatuani vetë, cili është specialiteti?

Pothuajse kurrë. Dikur, kur jetoja vetëm po, por më pas asnjëherë. Jam një dështim i vërtetë në këtë drejtim.

Cili është vendi më i bukur në botë për ju?

Ka shumë pafund. Ka vende magjepse si Afrika apo Azia Jugore. Padyshim, Europa. Por dy qytetet që i njoh mirë dhe që mund t’i vizitoja pa u mërzitur kurrë janë Nju Jorku dhe Parisi.

Po ai që nuk do e vizitonit më kurrë?

Moska. Qytet i zymtë.

Po hoteli më i bukur ku keni qëndruar ndonjëherë?

Një lodge në Masai Mara në Kenia, në mes të savanës.

Nëse nuk do të jetonit në Shqipëri, ku do të donit të jetonit?

Nuk e kam menduar këtë gjë. Por me siguri në ndonjë vend ku do kisha mundësi të shihja detin nga dritarja e shtëpisë sime.

Cilin do konsideronit udhëtimin e ëndrrave, destinacioni?

Janë disa dhe një pjesë besoj se do t’i realizoj. Një është Machu Picu, një zonë në afërsi të Kuskos në Peru, që ka qenë qendër shumë e njohur e civilizimit Inkas; i Dyti është Tibeti, Lhasa, që po ashtu është një destinacion ëndërrash; I treti është qyteti i Baganit në Myanmar, apo Birmani siç njihet tani. Po ka edhe shumë destinacione të tjera…

Cili është vendi që keni projektuar për të udhëtuar së fundi?

Indinë. Dua të vizitoj Nju Delhin, Agrën dhe Jaipurin.

Cila është vepra e artit që ju ka lënë më shumë mbresa? Po muzeu më interesant?

Kam qenë gjithnjë i magjepsur nga pikturat e Shagal. Kur i kam parë për herë të parë kam ndjerë një afërsi të çuditshme me të. Më kujtohet po ashtu që Perseu i Celinit, skulptura e famshme që ndodhet në Piaza della Sinjoria në Firence më ka lënë shumë mbresë. Në Shqipëri shkoj herë herë të shoh “Epika e Yjeve të mëngjesit” e Edison Gjergos që tani gjendet e ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Kemi parë që keni ndjekur Kombëtaren Shqiptare në disa ndeshje nëpër botë. Ju pëlqen futbolli apo e ndiqni vetëm kur luan Shqipëria?

Ka qenë një prej pasioneve të fëmijërisë dhe adoleshencës, që për hir të së vërtetës është zbehur me kalimin e kohës. I pandryshuar ka mbetur pasioni për ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Për cilën skuadër, përveç Shqipërisë, bëni tifo?

Për Gjermaninë, që kur kam qenë fëmijë.

Keni vizituar shumë shtete të botës, po Shqipërinë e keni eksploruar deri në fund?

Mund të konsiderohem nga ata që kanë udhëtuar nëpër Shqipëri, por besoj se ka ende shumë shumë vende që vlejnë të vizitohen. Vjet bëra një udhëtim nga Korça në Ersekë, Leskovik, Përmet, Këlcyrë. Ishte një natyrë magjepsëse, edhe pse e panjohur për shumë nga ne.

Cili është sendi më i çmuar që zotëroni?

Besoj se sendi më i çmuar, duke futur këto edhe peshën emocionale, janë një palë butonë këmishe, që kanë qenë të stërgjyshit tim. Duhet të jenë prodhuar në Stamboll diku në fund të viteve 1800, ose në fillim të 1900. Stërgjyshi nga mamaja ja la gjyshit tim dhe nga ai kanë përfunduar tek unë. I vendos ende sot në momente të rëndësishme. Janë një onix i mrekullueshëm me 5 brilantë të vegjël dhe tejet elegantë. Por vlera ska asnjë rëndësi. Është historia e katër brezave të familjes që mbaj në mëngë në ato momente që i vendos.

Cila është dhurata më e bukur që keni marrë?

Një shishe parfumi Diesel që ishte dhurata e vajzës së madhe në udhëtimin e parë që bëri vetëm me shkollën.

Cila është blerja më e shtrenjtë që keni bërë?

Besoj se ato që konsideron çdo njeri blerjet më të shtrenjta në jetë, shtëpia, makina etj.

Cila është gjëja që ju pëlqen më shumë të blini?

Zakonisht kam një pasion për filxhanët e kafes. I zgjedh gjithnjë vetë. Por edhe setet e ngrënies.

Si ka qenë fëmijëria juaj, e lumtur, e varfër, ç’kornizë mund t’i vendosni?

Fëmijëria në përgjithësi është e lumtur. Nuk ka qenë kurrë e varfër, përkundrazi, ka qenë më e mirë se e shumë moshtarëve të mijë në atë kohë. Plus ndihesha i përkëdhelur nga kujdesi i stërgjysheve të mia që merreshin shumë me mua.

Cilat kanë qenë pasionet tuaja të adoleshencës?

Si e gjithë adoleshentëve të brezit tim, futbolli!

Jeni një njeri që bëni atë që doni?

Zakonisht po. Po ska asnjëri në botë që bën absolutisht atë që do.

Si është një ditë juaja e zakonshme kur keni emision? Po kur nuk keni?

Është fare e zakonshme dhe e programuar. Çohem në mëngjes në 09:30. Shoh lajmet shkurt, lexoj mesazhet. Vrapoj 30 minuta pastaj në 11:15 kam gjithnjë takimin e parë në qendër. Në 12:00 kam mbledhjen e mesditës me stafin. 13:00 – 13:30 merrem me emailet dhe ndonjë detyrim tjetër. Në 13:30 deri në 14:30 jam në drekë ku shumë here janë dreka punë. Deri në 17:00 konsumoj edhe 2 ose 3 takime ose shkruaj. Në 17:15 jam në shtëpi dhe rri me gocën. Në 20:00 nisem për në punë dhe në 22:00 jam live. Pastaj kthehem, eci sërish 30 minuta dhe pas mesnatës filloj lexoj. Kur nuk ka emision zakonisht dal jashtë për darkë, ose kam njerëz të ftuar në shtëpi.

Vendet tuaja në Tiranë, për një kafe, për një drekë?

Mbeten thuajse të njëjtat dhe të pandryshueshme prej vitesh. Kafe në Rogner ose Sheraton. Drekë apo darkë në Estia, Aba 21, Padam ose diku tjetër.

Çfarë trajtimesh bëni për pamjen e jashtme?

Trajtimet që kam bërë gjithnjë. Ato që janë të trajtimit shtëpiak.

E imagjinoni ndonjëherë veten ç’profil do kishit, si do ju njihnin, nëse do ishit mësues letërsie?

Unë e di që roli i mësuesit duket i parëndësishëm në një shoqëri si kjo e sotmja, por më beso që mësuesi i mirë është modeli i çdo adoleshenti që fillon të ecë vetë në jetë. Edhe imi, ka qenë një mësues matematike që e takoj ende. Ndaj besoj se nuk do kisha këtë njohje që kam, por që shumë vetë në jetë mund të më kujtonin si një model në fillimet e tyre.

Profesioni që nuk do ta bënit kurrë?

Asnjë prej atyre profesioneve që do detyrohesha të ulesha 8 orë në një tavolinë dhe të mos lëvizja prej aty.

Është cilësuar një ndër profesionet më stresuese dhe të rrezikshme për shëndetin, ju si do e cilësonit gazetarinë?

Është një ndër profesionet më të bukura në botë padyshim. Por, duhet ta duash që ta kuptosh edhe vetë se sa i bukur është.

Si është raporti midis premtimeve të mbajtura dhe atyre të pambajtura ndaj vetes dhe të tjerëve?

Absolutisht i njëjtë me gjithë njerëzit e tjerë të kësaj bote. Asgjë ndryshe.

Do t’i thyenit rregullat për diçka apo dikë që doni?

S’e di këtë gjë. Zakonisht njeriu thyhet tek fëmijët.

Arrini të kujtoni dikë që e keni urryer 10 vite më parë? A e mendoni më?

S’mbaj mend një ndjesi të tillë. Zakonisht unë s’kam emocione. Përderisa nuk konsideroj kurrë ato që thonë ose thuhen për mua, përse do ta urrej dikë. Thjeshtë e injoroj.

Ku ndryshon Blendi Fevziu nga njerëzit e tjerë?

Nuk besoj se kam asnjë ndryshim.

Cili është tundimi më i madh që përjetoni?

Ai për të ngrënë ëmbëlsira sa herë jam në dietë.

Çfarë ju frymëzon më shumë në jetë?

Fakti që sot bëj atë punë që kam ëndërruar të bëja. Është një fat i madh në jetë.

Çfarë ju bezdis më shumë te të tjerët?

Injoranca!

Cili është viti më i bukur i jetës suaj?

Sa herë e kam menduar këtë gjë, zhveshur nga vite që kanë qenë një gëzim në jetën time, si vitet e lindjes së vajzave, besoj se viti më i bukur ka qenë 1990! Nuk do ta harroj kurrë atë vit. Ishte një vit magjik, që ndryshoi dhe shënjoi thellë jetën time të mëvonshme. Ishte një vit që më bëri të besoj se ëndërrat ekzistojnë dhe shpesh ato bëhen realitet. Ishte një vit, të cilit, për arsye të zhvillimeve, unë i detyrohem gjithë jetën time.

Për cilën gjë i gjykoni më shumë njerëzit?

Për sigurinë që kanë për të folur me kompetencë për gjëra që nuk i kuptojnë.

Çfarë është një gjë nga e cila nuk do hiqnit dorë kurrë (përveç familjes)?

Pasioni për të udhëtuar dhe për të zbuluar vende të reja.

Flet ndonjëherë me veten Blendi Fevziu, në cilat rrethana?

Shumë herë. Dialogu me vetveten dhe përgjigja ndaj pikëpyëjeve dhe dilemave të brendshme është shtysa bazë e njeriut në jetë!

Lajmet e fundit te postuar