Ballina SHENDETI Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi fton shoqatat e pacientëve për bashkëpunim

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi fton shoqatat e pacientëve për bashkëpunim

17
0
SHPËRNDAJE

Denisa Canameti

Shoqata Together for Life vazhdon punën e saj intensive për njohjen/ edukimin dhe prezantimin e pacientëve me kuadrin ligjor dhe institucionet e pavarura që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të pacientëve nga institucionet shtetërore të kujdesit shëndetësor.

Në kuadër të kësaj përpjekje të TFL, u zhvillua një takim në ambientet e zyrës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, me përfaqësues të disa organizatave që mbrojnë të drejtat e pacientëve, si: Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë, Shoqata e Pacientëve me Diabet, Shoqata e Pacientëve me Kancer Gjiri, përfaqësues të Pacientëve me Kancer të qafës së Mitrës, etj.

Gjatë takimit u diskutua mbi problematika të ndryshme të ofrimit të shërbimeve shëndetësore nga ana e institucioneve shtetërore shëndetësore, mbi mundësitë ligjore që kanë pacientët për të kërkuar mbrojtjen nga diskriminimi duke iu drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, për koordinimin më mirë të punës për mbrojtjen e të drejtave të tyre, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe praktikat pozitive.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi z.Robert Gajda falenderoi përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile për angazhimin e pakursyer në terren dhe ftoi shoqatat e pranishme të përgatisin disa raste/ problematika të identifikuara gjatë takimit, si çështje potenciale për trajtim.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte njohja dhe inkurajimi i pacientëve mbi rolin dhe angazhimin e institucionit të Komisionerit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi në mbrojtje të të drejtave të pacientëve.

Cila është veprimtaria e institucionit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi?!

Veprimtaria e Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi realizohet nëpërmjet shqyrtimit të ankesave të subjekteve që pretendojnë se janë viktima të sjelljeve diskriminuese apo që e nxisin atë, jo vetëm nga administrata publike, por edhe nga subjektet private.
Gjithashtu, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi realizon hetime administrative pas marrjes së informacionit të besueshëm për shkelje të këtij ligji, dhe bën sondazhe dhe monitorime për nivelin e zbatimit të ligjit.

Procedurat e hetimit administrativ pasohen nga rekomandime dhe në rast të moszbatimit të tyre vendosen edhe sanksione sipas parashikimeve ligjore.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, mbështetur financiarisht nga USAID/Albania.