Ballina SHENDETI Kongres dhe vullnetarizëm, infermierët dhurojnë gjak në ditën ndërkombëtare të tyre

Kongres dhe vullnetarizëm, infermierët dhurojnë gjak në ditën ndërkombëtare të tyre

10
0
SHPËRNDAJE

Emanuel Smaka

Infermierë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia u mblodhën të shtunën në Tiranë për të ndjekur Kongresin e infermierëve të organizuar nga Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë. 12 maji përkon me Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, ndërsa në kongres u dhanë rekomandime për përmirësimin e cilësisë së kujdesit infermieror. Rritja e numrit të infermierëve për numër pacientësh si dhe modernizimi i kushteve të punës ishin pika kryesore të diskutuara, ndërsa u mbajtën referate mbi kujdesin infermier në specialitete të ndryshme. Në nisje të aktivitetit, organizatorët nderuan disa figura të infermierisë që ndër vite kanë kontribuuar për këtë profesion, ndërsa bënë thirrje që të jenë të bashkuar për të drejtat e tyre.

“Infermieria nuk është vetëm profesioni ynë, është një mision. Sot më shumë se kurrë infermierët kanë nevojë të jenë të bashkuar. Edukimi në vazhdim i yni është një përpjekje e rëndësishme për të rritur cilësinë e shërbimit”, tha Elson Jaçaj, kryetar i Shoqatës së Infermierëve.

Si simbolikë e 12 majit, ditës së tyre, infermierët dhuruan gjak për pacientët me talasemi. Në përfundim të ditës së parë të kongresit, dhjetëra infermierë u bënë pjesë e fushatës vullnetare të dhurimit të gjakut. Kongresi do të vijojë edhe gjatë 13 majit, ndërsa pjesëmarrësit do të certifikohen në bazë të akreditimit nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim.

Data 12 maj njihet si Dita Ndërkombëtare e Infermierëve në, e cila është përkujtim i ditëlindjes se Florence Nightingale, infermiere që ka shërbyer dhe ka ndikuar në ngritjen e rolit të infermierit në mbarë botën.