Ballina SHENDETI Raporti i KLSH, Ministria e Shëndetësisë pranon problemet me protokollet dhe akreditimin...

Raporti i KLSH, Ministria e Shëndetësisë pranon problemet me protokollet dhe akreditimin e spitaleve

11
0
SHPËRNDAJE

Emanuel Smaka

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale pranoi publikisht problemet e konstatuara në auditin Kontrollit të Lartë të Shtetit. Gjatë seancës dëgjimore në Kuvend ku u shqyrtua raporti i KLSH “Për kostimin e shërbimeve spitalore”, drejtori i Administrimit Spitalor në Ministrinë e Shëndetësisë Petro Mersini, u shpreh se 2 rekomandimet kryesore të KLSH qëndrojnë.

“KLSH ka të drejtë në disa rekomandime dhe disa të tjera i kemi argumentuar dhe kundërshtuar. Zbatimi i protokolleve mjekësore është një proces i vazhdueshëm. Është me vend që të hartojmë protokolle duke pasur parasysh mundësitë që kemi për zbatimin e tyre. Në audit është ngritur gjithashtu problemi i vonesave mbi nisjen e procedurave për akreditimin e spitaleve. Këtu KLSH ka të drejtë, por procesi aktualisht ka nisur”, pranoi Mersini.

Deputetët u ndalën tek ky rekomandim i KLSH-së për akreditimin e spitaleve duke kërkuar shpjegime nga përfaqësuesja e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit te Institucioneve Shëndetësore.

“Akreditimi i spitaleve kërkon një periudhë 2-vjeçare që nga aplikimi dhe deri në përfundim të procesit. Sa i përket spitaleve publike, tek plotësimi i dokumentacionit dhe zbatimi i protokolleve ka akoma mangësi. Duhet thënë se spitali Rajonal i Shkodrës dhe Spitali Rajonal i Vlorës kanë aplikuar për akreditim sipas detyrave të lëna nga KLSH”, u shpreh Valbona Bara Specialiste e Sektorit të Cilësisë, Sigurisë dhe të Drejtave të Pacientit në QKCSAISH.

Akreditimi i institucioneve shëndetësore nënkupton vërtetim direkt të plotësimit të standardeve specifike përmes vizitës dhe vlerësimit të jashtëm në vendin e punës së institucionit përkatës lidhur me atë se çfarë kryhet në atë institucion si produktet, proceset, sistemet, personelin, përfshirë këtu edhe një demonstrim formal të kompetencës së institucionit për të realizuar detyra të caktuara.

Gjatë diskutimeve në seancën dëgjimore, deputetët i kërkuan përfaqësuesit të ministrisë që të shqyrtojë gjithashtu mundësinë e rritjes së autonomisë së institucioneve spitalore, një rekomandim ky i lënë nga KLSH në raportin auditues për të cilin u zhvillua seanca.

Në lidhje me rezultatet e raportit, anëtarët e komisionit kërkuan shpjegime edhe nga grupi auditues i KLSH. Duke folur për protokollet mjekësore, Drejtori i Departamentit të Auditimit të Performacës në KLSH Rinald Muça, argumentoi sërish rekomandimet e lëna.

“Synimi ynë ka qenë që të shfaqim situatën reale siç është në sistemin shëndetësor. Në spitalet që kemi audituar, mungesa e protokolleve tek disa shërbime shëndetësore dhe mos zbatimi i plotë i protokolleve tek disa të tjera është vërtetë problem”, përfundoi Muça.

Deputeti Petrit Vasili në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ftoi mjekët që të japin rekomandime për ndryshimin e protokolleve kur në praktikë e kanë të pamundur ti zbatojnë.

“Për zbatimin e protokolleve mjekësore, mjekët kujtohen vetëm kur përballen me drejtësinë. Ka ndodhur shumë raste që vetëm kur çështjet i janë deleguar gjykatës, mjekët janë shqetësuar për zbatimin e protokolleve mjekësore. Unë sugjeroj që mjekët, kur vlerësojnë se zbatimi i protokolleve mjekësore të miratuara është i pamundur, të japin rekomandime për ndryshimin e tyre. Nëse protokollet që kemi zbatohen pikë për pikë, do të kishim shërbime mbi mesataren”, tha kryetari i komisionit Petrit Vasili.

Në fund të vitit të kaluar, Kontrolli i Lartë i Shtetit publikoi raportin auditues për “kostimin e shërbimeve spitalore” duke i rekomanduar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në bashkëpunim me QKCSA-ISH, FDSKSH dhe QSUT-në, të hartojnë protokollet e trajtimit në shërbimet spitalore që mungojnë. Tjetër rekomandim i KLSH-së për këto institucione ishte nisja e procesit të rinovimit të protokolleve që janë hartuar shumë kohë më parë, të cilat sipas KLSH “nuk përputhen me standardet e tanishme të zhvillimeve të shëndetësisë dhe praktikave më të mira”.

Në të njëjtin raport, KLSH vlerësonte se “mungesa e protokolleve klinike të përshtatshme sipas praktikave më të mira reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e ulët të kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e kostove financiare të këtyre shërbimeve”.

Subjekt i këtij kontrolli ishin Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Spitali Rajonal Vlorë dhe Spitali Rajonal Shkodër.

Në mënyrë zyrtare, gjetjet e KLSH-së u pranuan vetëm nga Spitali Rajonal i Shkodrës, ndërsa institucionet e tjera e pranuan në heshtje projekt-raportin auditues para se të bëhej i njohur për publikun.